E qëlluan në sy të djalit, si vdiq 62-vjeçari te Liqeni i Tiranës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 18:15 në Tiranë, pranë Liqenit Artificial. Burime për ‘BalkanWeb’ bëjnë me dije se 62-vjeçari me iniciale H.B është gjetur i vrarë në këtë zonë me armë zjarri.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se 62-vjeçari po vraponte i shoqëruar nga djali i tij i mitur, ku dhe është bërë atentati. Mendohet se 62-vjeçari u vra nga dy persona të maskuar. Ndërsa dyshohet se njëri nga autorët të jetë shtetasi I.H nga Fieri.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie dhe ambulanca dhe priten të tjera detaje në vijim.
“Rreth orës 18:15, tek Liqeni Artificial, është vrarë me armë zjarri, shtetasi H. B., 62 vjeç. Policia ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij.”-njofton policia.
Po ashtu mësohet se bëhet fjalë për një ish-të përndjekur, i cili në kohën e regjimit komunist është dënuar dy herë.

Haxhi Baxhinovski lindi më 2 korrik të vitit 1957, në fshatin Radostinë të Fierit. Më 30 janar 1982, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për «agjitacion e propagandë».
Ai u dënua sërish më 3 qershor 1984, kësaj radhe me 21 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për «veprën e terrorit në bashkë-punim» (dënim i kombinuar).
Haxhi Shefqet Baxhinovski ka qenë i dënuar në kampin e Qafës së Barit, madje ka marrë pjesë edhe në revoltën e Qafës-Barit.

Dyshohet se fieraku është qëlluar për vdekje për shkak të një konflikti të hershëm, ende i pasqaruar nga policia. Deri më tani janë identifikuar dy autorët e ngjarjes, të dy nga Fieri dhe janë shpallur në kërkim.
Dyshohet se ka qënë djali i viktimës ai që mund të ketë dalluar personat e sipërpërmendur. Mbi viktimën ka qëlluar njëri prej tyre, ndërsa tjetri e ka ndihmuar të arratisen.
Ngjarja e rëndë ndodhi sot rreth orës 18:15, tek Liqeni Artificial, ndërsa Baxhinovski kishte dalë për vrap bashkë me djalin e tij. Policia ka identifikuar autorët dhe po punon për kapjen e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

