“Eci 100 metra për të kërkuar ndihmë dhe më pas…” Anton Keli u ekzekutua me automatik skorpions
Disa persona janë shoqëruar për vrasjen e Anton Kelit ndodhur pasditen e djeshme në qytetin e Rrëshenit.
Mësohet se ata janë marrë në pyetje por ende nuk ka një të ndaluar zyrtarisht.
Sipas burimeve nga grupi hetimor dyshohet se Keli është qëlluar me armë automatik skorpions dhe tre plumba e kanë prekur në trup në organet jetësore.
Pasi është qëlluar viktima ka lëvizur edhe për 100 metra për të kërkuar ndihmë tek një market aty pranë. Sapo ka hyrë brenda në market ka rënë në tokë pa ndjenja. Burri ndërroi jetë sapo ka shkuar në spital.
Njëri nga plumbat është gjetur brenda marketit dhe mendohet se plumbi i ka rënë nga trupi në momentin kur ka hyrë në dyqan për të kërkuar ndihmë.
Sipas burimeve Anton Keli nuk rezulton të jetë person me precedentë penalë dhe duke qenë se ka lidhje me familjen Gjini hetimet janë përqëndruar tek ngjarjet e mëparshme, por edhe tek ndonjë konflikt personal që mund të ketë pasur.
Në zonë janë sekuestruar disa kamera sigurie, pamjet e të cilave po analizohen nga grupi hetimor. Në zonën ku ka ndodhur ngjarja janë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja.
51-vjeçari është nipi i Tonin dhe Preng Gjinit. I pari i ekzekutuar në 12 gusht të vitit 2019 dhe i dyti ishte në qendër të një atentati me bombë në 15 shtator në urën e stacionit të fundit të Tiranës së Re, ku mbeti i plagosur rëndë. /Ora News