Edhe Donald Lu e Totozani pedalojnë pro LGBT

 

Ambasadori amerikan Donald Lu mori pjesë në të Katërtin Marshim Vjetor me Biçikleta Kundër Homofobisë, organizuar nga Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe ProLGBT.

Ky marshim është pjesë e aktiviteteve me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe transfobisë, të cilat do të zgjasin gjatë një jave.

“Kjo është gjithashtu edhe një ditë që ne të rikujtojmë se të drejtat LGBT janë të drejtat e njeriut. Por kjo është një ditë edhe për respect dhe tolerancë. Sa pak që përfitohet nga urrejtja, por sa shumë mund të arrijmë nga dashuria. Ndajeni edhe ju këtë foto në faqen tuaj nëse jeni dakord me ne” – shkruante ambasada e SHBA-ve në Facebook.

Ky aktivitet u mbështet edhe nga avokati i popullit Igli Totozani, i cili mori pjesë gjithashtu në pedalim dhe deklaroi se “Personat pjesëmarrës në paradë janë rritur nga viti në vit, gjithashtu edhe numri i qytetarëve që kuptojnë se të drejtat vlejnë për të gjithë njerëzit”.

Ndërkohë, në mbrëmje, ambasadori amerikan Donald Lu, diplomatë amerikanë, diplomatë të huaj, zyrtarë shqiptarë dhe miq, morën pjesë në Mbrëmjen Gala të Bamirësisë, organizuar nga Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe ProLGBT. Në këtë mbrëmje pjesmarrësit mblodhën fonde për të mbështetur strehën e emergjencës për rininë LGBT. USAID/Albania, në bashkëpunim me Assist Impact, Aleanca LGBT, Pro LGBT, Ambasadën Britanike në Tiranë, si dhe Fondin Albert Kennedy, ndihmuan në vitin 2014 në hapjen dhe financimin e qendrës Streha, e vetmja strehëz rastesh emergjente në Ballkan. Strehëza ndihmon banorët e saj me trajtime mjekësore, kurse, si dhe gjetje punësimi.

SHKARKO APP