Edhe lekët e pastrimit të rrugëve i VODHËT!?
-Ministria e Infrastrukturës në buxhetin e saj për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit ka planifikuar pagesa për 1200 punonjës, 500 mjete dhe në letra figuron se ka blerë 5 mijë tonë kripë për borën. Por pardje dhe dje firmat që kanë fituar tenderimet nuk kishin as lopata e jo më borëpastruese apo të hedhin kripë. Qindra e qindar familje rrinin me orë të tëra në rrugët nacionale sepse askush nga qeveria nuk kishte ç’të bënte se milionat e eurove janë vjedhur, natyrisht bashkë me firmat private.
Reshjet e dëborës dhe uljet e temperaturave të ditëve të fundit kanë krijuar një situatë të pazakontë në Shqipëri. Mijëra qytetarë mbetën të bllokuar në autostradën Tiranë-Lezhë dhe Librazhd-Tiranë ditën e shtunë, si pasojë e mos pastrimit të rrugës nga bora. Në Korçë, Pogradec dhe Qafë Thanë, po ashtu qindra qytetarë u bllokuan për disa orë në temperatura që arrinin deri në minus 15 gradë. Një pjesë akseve kombëtare ishin të pakalueshme dhe asnjë institucion nuk ishte në gjendje të jepte zgjidhje për banorët. Situata vijon të jetë problematike dhe gjatë ditës së sotme në shumë zona e akse kombëtare. Situata është e paprecedentë për faktin se gjatë dimrit, nuk ka ndodhur kurrë një bllokim kaq i madh në rrugët kombëtare. Reshjet e borës janë të mëdha dhe temperaturat të ulëta, por ky nuk është një fenomen që ndodh për herë të parë në Shqipëri. 5 centimetra borë më pak apo më shumë sesa vite më parë, nuk e fshehin dot të vërtetën e hidhur që panë shqiptarët këto ditë. E vërteta është se institucionet që sigurojnë kalueshmërinë e rrugëve nuk ishin në krye të detyrës. Përveç Policisë së Shtetit që mundohej të orientonte qytetarët në kaosin e krijuar, pjesa tjetër e shtetit gjatë dy ditëve të fundit nuk ekzistonte. Qytetarët u lanë në mëshirë të fatit dhe pafuqia e shtetit për situata të tilla u duk në Lezhë, ku pak kilometra larg Tiranës qeveria nuk kishte as një borë pastruese. Për të ardhur nga Lezha në Tiranë parmbrëmë u deshën mbi 5 orë rrugë! Situata anormale nuk mund të kalojë si një debat politik mes opozitës dhe qeverisë apo thjesht me justifikimet bajate të kryeministrit. Bllokimi i akseve kombëtare në jug dhe sidomos në Veri të vendit, ka nevojë për nxjerrjen e përgjegjësive dhe hetim. Sepse situata nuk është për faj të motit, por për shkak të keqadministrimit dhe vjedhjes së hapur që u bëhet qytetarëve. Të gjitha ata që u izoluan në rrugët e vendit dhe rrezikuan jetën për shkak të mos pastrimit të rrugëve, paguajnë taksa pa fund gjatë vitit që këto gjëra të mos të ndodhin. Ministria e Infrastrukturës ka një buxhet prej miliarda lekësh që jepen çdo vit për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit. Autoriteti Rrugor Shqiptar, çdo vit bën tendera të me miliona euro që u jepen kompanive private për të pastruar rrugët nga bora si dhe për të hedhur kripë. Janë miliarda lekë që jepen vetëm për një punë që kryhet për pak javë në vit dhe të gjithë kanë të drejtë të pyesin, kush i ka marrë këto para? Ministria e Infrastrukturës në buxhetin e saj për mirëmbajtjen e rrugëve dimërore 2020-2021 ka planifikuar pagesa për 1200 punonjës, 500 mjete, si dhe thotë se ka blerë 5 mijë tonë kripë për borën. Pas këtyre shifrave janë miliarda lekë që janë paguar nga qytetarët dhe normalisht kushdo ka të drejtë të pyesë dhe të kërkojë llogari. Ku ishin 500 mjetet që ka ministria? Askush nuk pa makina borëpastruese dje në shumë zona. Po 1200 punonjësit që paguhen për pastrimin e rrugëve? Po 5 mijë tonë kripë ku është zhdukur, sepse në Lezhë, Shkodër dhe në Librazhd- Elbasan nuk u pa asnjë dorë kripë që të hidhej për të ndihmuar mjete. Kaosi që ndodhi me rrugët në vend ka nevojë edhe për hetim të tenderave që kanë marrë kompanitë private. Janë dhjetëra biznese që marrë çdo vit paratë për punë që, siç tregoi situata e fundit, nuk i kryejnë kurrë. Paguhen miliarda që të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe rezultojnë se këto kompani nuk kanë në pronësi as lopata dhe jo më borëpastruese apo makina për ndihmë ndaj qytetarëve. Kaosi dhe rreziku me të cilin po përballen mijëra qytetarë nuk lidhet me reshjet e mëdha të borës apo temperaturat e ulëta. Është korrupsion i pastër dhe paaftësi e qeverisë për të administruar situata të tilla. Nuk vjedhin vetëm tenderat për ndërtimin e rrugës por dhe mirëmbajtën e tyre. Situata është me ekstreme dhe e pashpresë për qytetarët. Këta kanë vjedhur dhe lekët e kripës për borën dhe kjo tregon dhe kulmin e babëzisë dhe korrupsionit që ka njohur ky vend./Mili Xhani/