Edhe një aleat tjetër i Berishës kundër tij për protestën e 6 dhjetorit
Një nga një, aleatët e PD-së po dalin kundër vendimit të Sali Berishës për të protestuar më 6 dhjetor, ditë kur do të mbahet edhe Samiti i jshtëzakonshëm i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Pas Fatmir Mediut, edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi thotë se nuk do të jetë i pranishëm në protestën e thirrur nga Sali Berisha. Për të kjo do të jetë hera e parë në 2 mijë vite që 30 krerë shtetesh nga Europa do të vizitojnë Shqipërinë.
“Duhet të ketë qenë një vendim jo i lehtë për Berishën. Simbolika, çfarë ndodh në 6 dhjetor? Në 2 mijë vite nuk besoj të vijnë 30 kryetarë shtetesh në Shqipëri. Ne të gjithë e kemi ndjerë paragjykimin ndaj nesh jashtë shtetit. Është një rast i jashtëzakonshëm që 30 kryetarë shtetesh vijnë në Shqipëri. Sigurisht që besoj se ka qenë një vendim jo i lehtë për të bërë një protestë”,-tha Idrizi në Report TV.
Për të qeveria duhet të bënte pjesë të protokollit shtetëror edhe opozitën gjatë Samitit. Deputeti tha edhe se për protestën ishte informuar nga mediat, duke lënë të kuptohej se Berisha nuk ishte konsultuar me të. Idrizi shkoi më tej duke deklaruar se asnjë prej atyre që janë rreshtuar pro partive opozitare, nuk kishin marrë pjesë në protestat për çështjen Çame.