Edhe pse situatë pandemie, zgjedhjet e 2021 më të shtrenjtat në histori
Edhe pse vendi si gjithë bota është në pandemi, fushata elektorale e vitit 2021 është më e kushtueshmja e zgjedhjeve parlamentare demokratike në historinë e vendit. Ky proces, i kushtoi buxhetit të shtetit këtë vit 205 milionë lekë më shumë se në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2017.
Për zgjedhjet parlamentare këtë vit KQZ ka shpërndarë për partitë politike fillimisht 140 milionë lekë për 6 subjekte politike, ku pjesa më e madhe merret nga tre partitë e mëdha PS, PD dhe LSI.
Konkretisht partia që aktualisht është në pushtet ka marrë nga KQZ, 63,417,047 lekë, ose rreth 1.5 milionë lekë më pak se totali i buxhetit që u shpërnda për të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Në vendin e dytë renditen demokratët me 38,911,887 lekë, të ndjekur nga LSI ka marrë më shumë se 20 milionë lekë.
Fondit prej 140 milionë lekësh, Këshilli i Ministrave në datë 7 prill vendosi ti shtojë edhe 130 milionë lekë, me objekt shpërndarjen tek subjektet politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje. Buxheti total që shkoi për partitë arriti në 270 milionë lekë. Ndikim në këtë vlerë kaq të lartë për fushatën, ka pasur edhe pandemia dhe nevojat që lindin për tu përshtatur me rregullat e distancimit social.
Çdo shpenzim që do të kryhet nga subjektet duhet të justifikohet, në të kundërt fondet duhet të kthehen. Edhe në zgjedhjet e kaluara PS mori pjesën e luanit me mbi 28 milionë lekë, e ndjekur nga PD me 20,7 milionë lekë dhe LSI 7 milionë lekë.