Edi Rama do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare për drejtësi për UÇK-në në Tiranë më 17 tetor
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar sot se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor, në orën 17:00, në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Mendohet se do të ketë mbi 100 mijë veta.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, në një konferencë për shtyp, ku theksoi se protesta do të ketë karakter kombëtar dhe paqësor, me qëllim kërkimin e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo është një protestë për drejtësi dhe dinjitet kombëtar. Do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët shqiptarë nga të gjitha trojet, për të treguar se qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të luftës çlirimtare dhe ndaj atyre që dhanë gjithçka për lirinë,” – u shpreh Gucati.
Fjalime nga figura të njohura shqiptare dhe shqiptaro-maqedonase
Në protestë do të mbajnë fjalë edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, si dhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, një prej bashkëluftëtarëve më të afërt të UÇK-së dhe figurë kyçe e çështjes shqiptare në rajon.
Pjesëmarrja e Ramës dhe e këtyre personaliteteve shihet si një sinjal i fortë uniteti politik dhe kombëtar, përballë procesit që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
60 autobusë nga Kosova drejt Tiranës
Sipas Gucatit, për protestën e 17 tetorit është parashikuar një mobilizim masiv nga Kosova, ku 60 autobusë do të nisen drejt Tiranës për të marrë pjesë në tubim.
“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi. Po udhëtojmë për të dëshmuar para botës se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe për liri, jo për krim,” – deklaroi ai.
Protesta e dytë pas asaj në Hagë
Kjo do të jetë protesta e dytë e madhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pas asaj të mbajtur më 14 shtator në Hagë, ku morën pjesë mijëra shqiptarë nga diaspora dhe nga trojet shqiptare.
Në Gjykatën Speciale të Hagës po vijon procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar kategorikisht, duke i cilësuar si akuza politike që synojnë të rishkruajnë historinë e luftës së drejtë të Kosovës.
Mesazh kombëtar: drejtësi për UÇK-në, jo dënim i historisë
Protesta e 17 tetorit pritet të jetë shprehje e solidaritetit mbarëkombëtar, në një kohë kur opinioni publik shqiptar në të dy anët e kufirit është i ndjeshëm ndaj procesit në Hagë.
Pjesëmarrja e Ramës, Moisiut dhe Ahmetit pritet të japë një mesazh të qartë politik dhe moral: se lufta e UÇK-së është pjesë e pandashme e identitetit dhe dinjitetit kombëtar shqiptar.
KOHA JONË SONDAZH

