Edi Rama ka të drejtë: Brukseli duhet ta pranojë gradualisht Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Edi Rama ka të drejtë kur thotë se integrimi gradual është mënyra e vetme realiste për t’i futur Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Në Forumin Ndërkombëtar të Cernobbios në Itali, Rama kërkoi që vendet kandidate, përpara anëtarësimit të plotë, të përfshihen në tregun e përbashkët, në hapësirën universitare, në shkencë dhe në politika të tjera europiane. Ky është një qëndrim realist, sepse Brukseli heziton shumë për zgjerimin. Procesi i deritanishëm është kthyer në një rrugë të pafundme, ku vendet kandidate hapin kapituj, miratojnë ligje dhe kryejnë reforma, ndërsa anëtarësimi mbetet gjithmonë pas horizontit.

Edhe Shqipëria ka vite që dëgjon se e ardhmja e saj është në Bashkimin Europian. Por vetëm deklaratat nuk mjaftojnë. Qytetarët duhet ta ndiejnë Europën në ekonomi, në arsim, në lëvizjen e lirë, në investime dhe në standardet e jetesës. Brukseli duhet të jetë më i sinqertë me Ballkanin Perëndimor. Nëse nuk është ende gati për anëtarësimin e plotë, atëherë duhet të ofrojë integrim real dhe të matshëm, sektor pas sektori. Çdo reformë e përmbushur duhet të shoqërohet me një përfitim konkret.

Swiss Digital Desktop Reklama

Historia e zgjerimit tregon se Bashkimi Europian, kur ka pasur vullnet dhe interes gjeostrategjik, ka ditur të marrë vendime politike të guximshme. Bullgaria dhe Rumania u pranuan në vitin 2007, megjithëse në atë kohë vazhdonin të kishin mangësi serioze në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pikërisht për këtë arsye, pas anëtarësimit të tyre, Bashkimi Europian vendosi Mekanizmin e Bashkëpunimit dhe Verifikimit për të monitoruar reformat që ende nuk ishin përfunduar. Pra, këto dy vende u pranuan fillimisht dhe një pjesë e standardeve u kërkua të plotësohej më pas.

Vendimi nuk ishte vetëm teknik. Ishte edhe gjeopolitik. Europa kërkonte të forconte krahun e saj lindor, të zgjeronte zonën e stabilitetit dhe të mos linte hapësira të pambrojtura për ndikime të tjera.

Atëherë përse i njëjti arsyetim nuk zbatohet sot për Ballkanin Perëndimor? A është Shqipëria më pak europiane se Bullgaria apo Rumania? A është siguria e Ballkanit më pak e rëndësishme për kontinentin? Përse vendeve të rajonit u kërkohet përsosmëri përpara anëtarësimit, kur vende të tjera u pranuan dhe më pas vazhduan reformat brenda Bashkimit?

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se Shqipëria duhet të pranohet pa kushte apo se qeveria mund të ngadalësojë reformat. Shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e pronës, zgjedhjet e lira dhe pavarësia e institucioneve mbeten detyrime të panegociueshme.

Por kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Bashkimi Europian nuk mund të përdorë standarde të ndryshme sipas momentit politik dhe as ta mbajë Ballkanin në një paradhomë pa afat.

Sot Europa përballet me luftën në Ukrainë, ndikimin rus, konkurrencën kineze, emigracionin, pasigurinë energjetike dhe rritjen e ekstremizmit. Në këto kushte, lënia e Ballkanit Perëndimor jashtë nuk është vetëm padrejtësi ndaj rajonit. Është edhe një gabim strategjik i vetë Europës.

Integrimi gradual do të ishte përgjigjja më e arsyeshme. Shqipëria dhe vendet e tjera që plotësojnë kushtet duhet të hyjnë gradualisht në tregun europian, në politikat e përbashkëta, në programet universitare e shkencore dhe në mekanizmat e sigurisë, derisa anëtarësimi i plotë të bëhet përfundimi i natyrshëm i procesit.

Nuk mund të ketë vetëm detyrime europiane për Ballkanin dhe vetëm premtime nga Brukseli. Duhet të ketë edhe të drejta, fonde, mundësi dhe përfitime konkrete.

Integrimi gradual nuk është heqje dorë nga anëtarësimi i plotë. Përkundrazi, është rruga më e sigurt për të mbërritur tek ai.

Në këtë pikë, Edi Rama ka të drejtë. Brukseli duhet ta dëgjojë dhe të kapërcejë hezitimin e tij.

Sepse kur pati interes gjeostrategjik, Europa i hapi dyert Bullgarisë dhe Rumanisë, edhe pse ende nuk i kishin përmbushur të gjitha standardet. Sot ka po aq, në mos edhe më shumë, arsye gjeostrategjike për të mos e lënë Ballkanin Perëndimor jashtë.

Ballkani nuk është oborri i Europës.

Është pjesë e saj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Po 2514 (64.9%)
Jo 1360 (35.1%)

Vota totale: 3874