Edi Rama: Piktorë, mos shkelni më në Galerinë e Arteve
(Botuar me 6 Janar 1996 në KOHA JONE)
Nga Edi Rama-
Paris. Kur pat ndodhur vjet ai që u quajt skandali Shima, së bashku me tre kolegë të tjerë e pata refuzuar çmimin e dhënë nga juria e ekspozitës “Onufri 94” dhe qesh mjaftuar me dy frazat në gazetën “Koha Jonë”, ku dënoja aktin e shëmtuar të jurisë si një akt shpërdorimi të lirisë dhe ku bashkëpunimin groteks të Alushit, asokohe drejtor i Galerisë Kombëtare me anëtarë të tjerë të jurisë në favor të kurorëzimit të të birit, fitues i çmimit të parë e quajta ekses dashurie të atit për birin. Në asnjë vend të Evropës nga duam të dalim, nuk organizohen më ekspozita të stilit Stalinist me komisione pranimi. Në Amerikë gjithashtu, edhe në Ruanda. Nuk do zgjatem më me psetë e praktikës së përbotshme të organizimi të ekspozitave me kuratorë, por do të kujtoj këtu se Akademia e Arteve e organizoi një ekspozitë të tillë dhe me mjaft sukses po të mbahet parasysh se ishte e para e këtij lloji. Por siç ndodh rëndom në provincën tonë ku dallëndyshja e parë vritet për të shprehur kënaqësinë e ardhjes së pranverës, në vend që ajo iniciativë e frytshme të shërbente si pikënisje e ndryshimit të kursit Stalinist të procedurës së Galerisë Kombëtare, shërbeu si eksplozivi që hapi një hendek përfundimtar midis galerisë dhe Akademisë, më saktë midis Alush Shimës sot e gjithë ditën drejtor, dhe pedagogëve të Akademisë. Meqë ra fjala, Akademia e Arteve është bërë shënjestër e akuzave idioteske të këtij njeriu që reformimin e saj e sheh si shkatërrim të pedagogjisë dhe lirinë e studentëve e quan të parakohshme dhe të dëmshme për fatet e artit kombëtar e për të thënë të tilla broçkulla ftohet nga Zerina në mbrëmjen që Televizioni i rezervon intelektualëve të “pavarur”. Menjëherë pas ekspozitës së Akademisë, e cila u përgatit për 5 muaj rresht duke kuruar çdo etapë, Alushi organizoi një “antiekspozitë” blitz, ku i hapi dyert e Galerisë Kombëtare për çdo student të Arteve te Bukura dhe nxënës të Liceut që kishte dëshirë të varte punimet në muret e saj. Një aktivitet populist me përmasa skandaloze që u përshëndet si manifestim i madh i lirisë së shprehjes edhe nga vetë Ministri për Kulturë, mediokritet absurd i letrave shqipe Teodor Laço. Asnjë seleksionim. Futu var punën, ik! Të gjitha punimet bashkë në sallën e kooperativës të tipit të ri, të mira a të këqija kjo nuk i intereson demokracisë, të talentuar apo të patalentuar: thesi i saj i nxë dhe i kapërthen të gjithë bashkë në një koeficient të madh lirie edhe pse eksperienca mëson se në raste kësosh duke qenë masë dërrmuese, të patalentuarit japin tonin dhe bëjnë, që ajo duhet të jetë një ekspozitë kombëtare, të jetë një Mut Kombëtar. Vjen “Onufri 95” dhe historia përsëritet po njësoj, pa kuratorë, pa asnjë përgatitje, pa kurrfarë ideje në kokë, o burra të varim punët që na vijnë në derë dhe të ndajmë paratë e çmimeve! Një tjetër furtunë populizmi që përsëri e shëmton Galerinë dhe që arrin deri aty sat ë shkundi nga pluhuri i harresës fatlume një tjetër mediokër absurd, Agim Zajmin, të cilin e vendos mu në krye të komisionit të çmimeve. Dhe është përsëri Alush Shima që e vë në lëvizje krejt këtë mizanskenë të mendimit të shterpët diletantesk. Është ai që ka vendosur se Shqipëria duhet të jetë i vetmi vend i botës pa galeri kombëtare (Alushi ka gati dy vjet që është drejtor ndërkohë që në Galeri funksionon vetëm salla e ekspozitave, sepse linja e përhershme ekspozicionale nuk është ngritur ende, pra de facto Shqipëria postkomuniste ende nuk e ka galerinë kombëtare!) Është ai që ngul këmbë si kali artist i karrocës së pushtetit, se ashtu si çdo gjë që bëhet më lehtë së prapthi, edhe ekspozitat duhen organizuar së prapthi, është ai që vendos se si duhet të organizohen konkurset kombëtare dhe se kush duhet t’i shpërndaje çmimet, është ai që vendos mu në holl të Galerisë një derr sixhadeje që ruajna Zot mendtë e kokës, e që pastaj i vë sipër Skënderbeun në bronz dhe në emër të përmbajtjes kombëtare i ngul në sfond flamurin kuq e zi të Arbrit. Bile sa për pak harrova, është Alushi që vendos edhe që në çdo ekspozitë djali i tij i madh duhet të nderohet patjetër me çmim, sepse çmimet e vazhdueshme tregojnë botërisht se gjenia krijuese e babait i ka kaluar të birit! Po ç’është xhanëm ky njeri që bashkë me Galerinë Kombëtare po shkatërron edhe të birin dhe si erdhi në dorë e gjithë kjo fuqi vendimore? E kam parë për herë të parë në vapë të madhe me një biçikletë të shpuar përdore, marka e së cilës nuk më kujtohet dhe në timonin e së cilës varej një torbë doku. Kujtoj vetëm se ishte biçikletë grash. Më ka prezantuar Gazmend Leka, “Alush Shima, skenograf në Kinostudio”. Pastaj kam dëgjuar për të nga ish-drejtori i Galerisë Kombëtare komuniste Ksenofon Dilo. Si gjithmonë entuziast kur bënte ndonjë zbulim të tijin në provincë apo nëpër rrugicat e vjetra tiranase, e ua kundërvinte disa të rinjve që nuk hynin në protektoratin e tij, Ksenofoni më thotë një ditë “shumë shpejt do të hap një ekspozitë të Alush Shimës në Galeri dhe do t’u jap të gjithëve një leksion për ngjyrën!” U fol shumë përpara asaj ekspozite për krijimtarinë misterioze të këtij njeriu që prej një çerek shekulli lyente dekoret e filmave të realizmit socialist, bënte Pazar me biçikletën dhe torbën e sipërpërmendur e u thosh të gjithëve se kishte braktisur piktura të realizuar, tamam në këto vite në dijeni ekskluzive të gruas dhe të fëmijëve. Një gojëdhënë e bukur që më entuziazmoi pa masë dhe më shtyu të mos e prek ekspozitën, por t’i lutem Gazit që të më çojë në shtëpinë ku fshihej enigma. Natyrisht, për arsye vendi dhe kohe, atje pashë vetëm ca pak gjëra, por më kaploi menjëherë trishtimi, një ndjesi boshllëku të cilën ekspozita e Ksenofonit ma konfirmoi. Krejt e kundërta e leksionit për ngjyrën. Një amulli bojërash e denjë për parakalimet e 1 Majit apo spartakiadat kombëtare, një piktor i mbyllur hermetikisht ndaj botës, i cili për një çerek shekulli kishte ripërtypur në terr ato pak libra të botimeve “Skira”, që i kish parë në kuturi të plotë kur kryente studimet në Institutin e Arteve. Sidoqoftë e respektoj zgjedhjen e tij për të mos aderuar në histerinë e realizmit socialist, një zgjedhje moralisht e denjë për një artist, që nuk i besonte asaj metode e që do të kishte qenë një zgjidhje fatlume sikur të ishte kurorëzuar me një rezultat artistikisht të vlefshëm, por që në fakt ka prodhuar një krijimtari të konsiderueshme vetëm nga ana sasiore, ku vlerat artistike duhet t’i kërkosh me qiri e me zemërgjerësi të madhe. Një pafundësi vizatimesh e pikturash të një 50-vjeçari, i cili reflekton në forma banale mjeshtrat e tij të preferuar përmes shkathtësisë së mërzitshme të atyre punëtorëve të panumërt të penelit, të cilëve dora ju punon pa ndaluar, ndërsa koka vetëm sa për të mos ua hedhur shitësja te kusuri i bukës. I marrosur pas ngjyrave shumë të forta të riprodhimeve “Skira” , pa lexuar asnjë rresht nga historia e artit në përgjithësi dhe e këtyre avangardave në veçanti, Alushi është lëshuar pa kurrfarë dyshimi në aventurën e tij vetmitare e cila falë Zotit ju shpërblye me një thes të hollash, por që si në të gjitha aventurat artistike ku mungon shqetësimi krijues personal, është e zbrazet nga çdo gjë, që i jep një krijimi atributet e veprës autentike të artit. Marria e imitimit, deri edhe në kopjimin e drejtpërdrejtë të motiveve të mjeshtrave të preferuar, i falet dhe i respektohet një adoleshenti që bie në dashuri në shikimin e parë me gjithçka të bukur që i has syri, i falet natyrisht edhe këtij burri të moshuar që ka mbetur skllav i adoleshencës së tij e që pikturon një të diel peshqit e zinj të brakut vendosur te parvazi i dritares së dhomës tiranase, javën tjetër sorrat e Van Gogut mbi dekorin e filmit “Fije që priten”, pastaj për dy të diela rresht e vë kokën e vet mbi qafën e gjatë të modilianit e kështu pa u lodhur 40 vjet rresht. Por e gjithë kjo histori asesi nuk mund të merret seriozisht kur Alushi kërkon ta imponojë si vlerë përmes përrallave me zonja të kamura, që firmosin çeqe apo në hotelet dimërore të Zvicrës për t’i blerë punimet. Siç mund të kuptohet dhe nga diçka që kam thënë pak më lart unë personalisht e kam respektuar refuzimin e Alushit ndaj metodës së realizmit socialist dhe kam qenë dhe jam i mendimit se disa punime të tij, ashtu si dhe shumë punime të realizmit socialist, duhet të zënë vendin e tyre në Galerinë Kombëtare si aberracione të rëndësishme për ta kuptuar epokën e diktaturës, por kurrsesi nuk e ngatërroj dot “suksesin ndërkombëtar” të Alushit me vlerat e mirëfillta artistike. Si shumë piktorë të lajleluleve që zbukurojnë muret mbi kanapetë e zonjave të pasura nëpër botë, përmes dorës së fatit dhe përrallave me kuçedrën e diktaturës që mbante robinë të bukurën, Alushi ka mundur të gjejë një galeri boll të fuqishme të artit komercial në njërën prej rrugëve më “chik” të Londrës dhe të tundojë zonjat e etura për përralla me heronj ekzotikë. Një galeri dhe një galerist boll të shkathët, që ju shet klientëve të tij tablo me kloun, me arinj apo me portrete marinarësh sovjetikë të realizuar prej alushësh të disidencës ruse. Po ç’kanë të bëjnë me këtë tregti të suksesshme lajlelulesh karrigia e drejtorit të Galerisë Kombëtare dhe debatet për artin dhe kulturën, ku Alushi është bërë një protagonist I dorës së parë që e ka kthyer Galerinë në një bunker të mediokritetit, që shkruan në “Rilindjen Demokratike” për zbatimin e vijës së partisë në art dhe kulturë?! Ç’pyetje e marrë! Lajlelulet e Alushit nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me Galerinë, me artin e pikturën, por ja që Partia Demokratike, zgjodhi Alushin për artist të oborrit të saj. Sidoqoftë aq më keq për të (për partinë). Kuptohet që kurrë nuk do të isha marrë as me më të rëndomtin piktor të lajleluleve sikur ky të mjaftohej vetëm duke i marrë erë luleve të tij. Por e gjithë kjo kohë që u vra pa mëshirë nga duart e Alushit më tregoi qartë se një njeri i tillë, për të cilin ka rëndësi vetëm paraja dhe lavdia e rrejshme personale, është i paaftë për gjithçka që nuk përmblidhet në këto dy koncepte dhe se ky shkrim është minimum që mund të bëhet kundër mitit të tij qesharak e dëmprurës. I ftoj artistët dhe dashamirët e vërtetë të artit që të mos shkelin më në atë institucion, që quhet ende Galeri, por që emërtimin “kombëtare” e mban vetëm si perde pas së cilës luhen ndaj idesë së artit, farsat më poshtëruese të injorancës.