Edmond Haxhia dhe anglezët duan liri me kusht, në pikëpyetje ekstradimi në Shqipëri
Në Londër këtë të premte u mbajt seanca e dytë gjyqësore, nga ku po shqyrtohet kërkesa e Shqipërisë për ekstradimin e katër personave, nën dyshimin e përfshirjes në vrasjen e Ardian Nikulajt. Përpara gjykatësit për ekstradimet kanë dalë Edmond Haxhia, Steven Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman.
Përmes avokatëve të katër të arrestuarit kanë depozituar kërkesat për liri me kusht kundrejt bllokimit të pasaportës, monitorimit elektronik, paraqitjes çdo javë në një stacion policie dhe garancive pasurore. Të katra këto kërkesat janë kundërshtuar prej përfaqësueses së Shqipërisë Zoe Lash.
Në orët në vijim gjykatësi Michael Snow pritet që të japë vendimin për pranimin ose jo të ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në liri me kusht.