Eduard Selami: PD nuk mund të fitojë në zgjedhjet e 1996
(Botuar me 7 Maj 1995 në KOHA JONE)
Intervistë me z. Eduart Selami
Si gazetë e pavarur preferojmë që për çështjen e pranimit të Shqipërisë në KE të bashkëbisedojmë me përfaqësuesin zyrtar, kryetarin e delegacionit të përhershëm të Parlamentit Shqiptar në Këshillin e Evropës. Së pari, pse nuk folët ju në TVSH për këtë arritje të Shqipërisë demokratike po përfaqësuesi i pozitës, kur më mirë se ai, p.sh. mund të fliste përfaqësuesi i opozitës? Mos keni qenë sëmurë, apo Selami “ishte sëmurë”?
Për mua nuk ishte çudi, bile surprizë do të ishte po qe se do të më thërrisnin, sepse qëkur s’jam më kryetar partie TV nuk më është drejtuar asnjëherë. Kuptohet që ky s’është faji i TV, as i drejtuesve të tij, por i drejtuesit të drejtuesve. Pavarësisht nga kjo unë mendoj se kjo gjë nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që Shqipëria hodhi një hap të madh pozitiv për në KE, gjë që padiskutim gëzon dhe u shërben të gjithë shqiptarëve. Përpjekjet që bëhen për të monopolizuar këtë sukses, janë ana më e parëndësishme e këtij hapi pozitiv.
Gjatë ditëve që ju ishit në Strasburg, në Tiranë u hodhën për diskutim mjaft pyetje të cilat përgjithësisht me kthimin e delegacionit morën përgjigje. Them përgjithësisht pasi dy prej tyre ende kanë mbetur pa përgjigje. E para, ç’rol luajti vota e opozitës në vendimin e Komitetit Politik dhe e dyta, a do të ketë kushte për Shqipërinë pas këtij vendimi deri në vendimin përfundimtar të KE?
Dua të theksoj edhe një herë që ishte mjaft pozitive vota pro e opozitës. KE si një institucion demokratik e sheh demokracinë të lidhur si me pozitën ashtu dhe me opozitën. Unë e kam falënderuar opozitën për këtë qëndrim Pro, sepse në Strasburg ne jemi avokatë të Shqipërisë e s’shkojmë për luftë partiake. Po kështu edhe për kushtet. Nuk ka kushte për pranimin e Shqipërisë në KE. Kushtet që ishin janë shmangur me logjikën që demokracia është proces dhe nuk resht kurrë së përmirësuari dhe çdo vend në KE ka diçka për të përmirësuar, Kushtetuta p.sh. jo se nuk kërkohet. Ajo patjetër duhet, por me insistimin tonë u hoq si kusht paraprak për pranimin në KE.
Pranimi në KE, sipas mendimit tuaj, na jep më shumë të drejta apo na ngarkon me më shumë detyrime?
Mendoj se i ka të dyja aspektet. Patjetër që shtohet hapësira dhe të drejtat e Shqipërisë e delegacionit tonë për të thënë fjalën e tyre me më forcë në këtë institucion të rëndësishëm të të drejtave dhe lirive njerëzore, sepse delegacioni ynë tashmë do të ketë dhe të drejtën e votës e do të marrë pjesë aktive në të gjitha debatet dhe diskutimet që do të bëhen në KE me të drejta të plota me delegacionet e tjera. Por nga ana tjetër si vend anëtar i KE ne jemi detyruar të plotësojmë dhe të përmbushim ato dokumente dhe detyrime të cilat janë standarde për KE. Në KE ka disa standarde të cilat janë të detyrueshme për të gjithë vendet pjesëmarrëse dhe me pranimin tonë, me firmosjen e këtyre dokumenteve, nuk diskutohet që këto duhen respektuar. Mosplotësimi i këtyre dokumenteve shoqërohet me masa ndaj vendit që nuk i plotëson këto, masa të cilat nganjëherë shkojnë deri në pezullim apo në përjashtimin e vendit nga KE.
Dhe për ta mbyllur këtë kapitull, kujt ia dedikon këtë arritje: PD, Qeverisë Demokratike, Presidentit, Parlamentit apo gjithë forcave politike shqiptare?
Unë mendoj se kjo ngjarje hyn në ato raste ku arritja është e përbashkët dhe u takon të gjithëve, edhe PD, edhe Qeverisë Demokratike, edhe Presidentit, edhe Parlamentit, edhe forcave politike shqiptare. Natyrisht ky është një vlerësim për demokracinë në Shqipëri dhe në të gjitha këto që përmenda unë do të doja t’u theksoja dhe të nënvizoja rëndësinë që ka puna që ka bërë Parlamenti, sepse anëtarësimi në KE në radhë të parë lidhet me kuadrin e plotësimit ligjor të legjislacionit të një vendi.
Deri në qershor kur të mblidhet KE ka kohë, prandaj le të bashkëbisedojmë me ish-Kryetarin e PD, sot anëtar i saj. Që nga 5 marsi “historik”, çfarë bën zoti Selami?
Në këto dy muaj dua të them se ka ndryshuar diçka nga jeta normale e veprimtarisë sime politike. Nuk kam atë ngarkesë që kam patur më parë dhe jam më i lirë. Dua të them se në planin personal ndjehem më mirë se më parë. Kam më shumë kohë për të lexuar, kam më shumë kohë për t’ju kushtuar miqve dhe të afërmve të mi. Kam rifutur në programin tim disa gjëra, që vërtet në këtë periudhë 5-vjeçare për mungesë kohe më ishin kufizuar. Pra, po shijoj si të thuash lirinë. Ndërsa në politikë, kryesisht i kam përqendruar forcat e mia në politikën e jashtme, duke plotësuar detyrimet e mia si kryetar i komisionit të jashtëm.
Po për të ardhmen, ç’mendoni të bëni?
Do të vazhdoj të kontribuoj në komisionin e jashtëm si dhe në strukturat e PD për aq sa kam hapësirë.
Në shtyp është përfolur se Selami me një grup deputetësh të PD, rreth 15 veta po përgatitet të krijojë një parti të re demokratike, apo më saktë një parti të vërtetë demokratike. Është e vërtetë?
Kjo gjë nuk është e vërtetë. Sot për sot unë nuk po mendoj për krijimin e një partie të re. Kam hapësirën e mjaftueshme në grupin parlamentar për të dhënë kontributin tim. Pastaj mua me PD më lidhin shumë gjëra. Për atë çka u bë ndaj meje, pra për gabimet që u pasqyruan në konferencën e jashtëzakonshme, për shkeljen e procedurave brenda PD, si dhe heqjen time nga kryetar dhe nga kryesia në mënyrë jo legjitime, unë mendoj se këto nuk më kanë humbur përfundimisht besimin dhe shpresën, se gjëra të tilla në PD nuk do të përsëriten dhe do të kapërcehen shpejt. Unë nuk ndjehem i braktisur brenda PD. Me përjashtime shumë të vogla, vazhdoj të jem i rrethuar nga i njëjti respekt si më parë, nga deputetë, drejtues, anëtarë dhe simpatizantë të PD. Me këta vazhdoj që të këmbej mendime e të diskutoj. Natyrisht ka mjaft gjëra që ne nuk jemi dakord, por kjo është një gjë krejt normale.
Le të tregohemi më realistë. PD në shembullin e PP që për 50 vjet i mbushi sallat e konferencave e kongreseve me të bindur e besnikë e vazhdoi traditën dhe me frazën stampë “vendosi shumica”, demaskoi, shpartalloi e përjashtoi gjithë armiqtë e tradhtarët. Nga kjo skemë nuk shpëtoi as vetë kryetari i PD, z. Selami. Në vazhdim të kësaj, ju e kuptoni që nesër nuk do të figuroni më në listat e kandidatëve të ardhshëm të PD. Përballë kësaj situate reale, çfarë do të bëni?
Nuk jam plotësisht dakord me vlerësimin tuaj. Është e vërtetë se PD në disa raste, dhe kjo edhe kur unë kam qenë kryetar ka bërë gabime. Moslejimi i hapësirës së nevojshme për mendimin alternativ si dhe mospranimi i diversitetit brenda vetë partisë, unë mendoj se është një nga ato më kryesoret, por s’mund të them se PD vazhdon të ruajë traditën e kaluar totalitare. Gjurmë të së kaluarës ka kudo në jetën shqiptare, ka edhe në PD, por kjo nuk dominon dhe ngadalë do të kapërcehet. Unë me të vërtetë dështova në përpjekjet e mia për t’i dhënë një hapësirë më të madhe demokratike vetë PD, por nuk besoj se kjo ka kaluar pa lënë gjurmë. Kam besim se kjo do t’i japë frytet e saj. Për mua është thjesht çështje kohe… Në fakt ka edhe të tjerë që mendojnë kështu si ju se në kuvendin e ardhshëm unë dhe përkrahësit e mi do të dëbohemi nga PD. Po të shohësh se ç’ndodhi më 5 mars, për mua do të jetë e vështirë të kundërshtoj, e megjithatë unë eci me shpresën se kjo nuk do të ndodhë.
Mua më vjen mirë që ju vazhdoni të mbeteni idealist edhe pas gjithë atyre që ndodhën në 5 mars…
Natyrisht, sepse po qe se do të isha vetëm realist, megjithë ato që ndodhen dhe mënyrën se si ndodhën, duhet të kisha vepruar ndryshe me kohë.
Dhe po qe se nuk do të fitoni, atëherë ç’do të bëni?
Çfarë do të bëj po qe se ndodh? Jam duke e menduar. Akoma nuk e kam vendosur. Vazhdoj ta mendoj dhe ta diskutoj si me vete ashtu dhe me miqtë e mi politikanë dhe jo politikanë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Do të përpiqem që të gjej rrugën më të përshtatshme, jo vetëm për vete, por edhe për PD.
Mos keni vendosur të largoheni nga skena politike përkohësisht për t’u rikthyer në të më i fortë, më i organizuar e më i vendosur?
Akoma jo. Pra, shumë gjëra do të varen se si do të shkojnë punët në Kuvendin e Partisë Demokratike. Unë edhe një herë duke mos hequr dorë nga mendimet e bindjet e mia, do t’i ofroj PD bashkëpunimin dhe alternativat e mia për fushatën e ardhshme.
Ta konsiderojmë këtë mendim si një mesazh për bashkëpunim?
Po. Unë do të ofroj siç thashë bashkëpunimin tim brenda PD, për të mos shkaktuar një përçarje të saj, gjë të cilën e kam bërë që në orët e para pas konferencës. Unë mendoj se PD ka më tepër se për çfarëdo tjetër nevojë për ndihmë dhe për aleatë përpara zgjedhjeve, sidomos në kushtet aktuale në të cilat ajo ndodhet.
Meqë jemi në prag të zgjedhjeve. Mendoni se me arritjet e derisotme dhe me ekipin që drejton aktualisht PD, ajo do të fitojë përsëri në zgjedhjet e ardhshme?
Pa mohuar arritjet e deritanishme të PD të cilat janë të dukshme, pa mohuar edhe vlerat që kanë drejtuesit aktualë të PD, mendimi im personal është se kjo do të jetë e pamjaftueshme për të fituar në 96. Nëse duam që të arrijmë një fitore në 96 duhet të korrigjojmë e të ndryshojmë shumë gjëra në politikën tonë, në propagandën elektorale, si dhe në ekipin drejtues.
Dhe që të mos më mbetet peng, së fundi një pyetje të arkivuar në bllokun e shënimeve që më 5 mars 1995. Për shumë kohë ju keni mbrojtur mendimin tezë “asnjëherë nuk është vonë për të hyrë në PD”. Mendoni se sot ka ardhur dita që ky mendim të zëvendësohet nga mendimi tjetër, p.sh. “asnjëherë nuk është vonë për të dalë nga PD”?
Natyrisht që jo. Është e vërtetë që ka gjëra që nuk shkojnë në politikën e tashme të PD e që njerëzit me të drejtë i kritikojnë. Por kjo s’do të thotë që situata në PD është e pashmangshme. Për t’ju përgjigjur me fjalët tuaja unë do të thosha se asnjëherë nuk është vonë për të korrigjuar e për të përmirësuar politikën e PD.
Intervistoi Ilir Keko