Efektivi që i mori jetën Klodianit, rrezikon deri në 20 vite burg. Pistoleta e gjetur ende mister
Prokuroria e Tiranës ka konkretizuar akuzën për efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau Klodian Rashën. Prokuroria ka ngritur akuzën për vrasje me dashje. ”Kemi siguruar provën kryesore,pamjet filmike ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë. Filmimi i sekuestruar jep një tablo të qartë të vrasjes. Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashës. Këndi i goditjes se Klodian Rashës, ka qenë në gjatësinë e trupit të viktimës”,-thekson Prokuroria.
Mësohet se Filmimi ka zbuluar se Klodian Rasha, është qëlluar nga polici teksa ishte duke u larguar me vrap në rrugicën që të çon drejt banesës së viktimës. Polici ka marrë pozicionim për të qëlluar dhe ka hapur zjarr dy herë me armën e shërbimit. Përsa i përket armës tip pistoletë të gjetur në një pellg uji thuhet se ende nuk janë identifikuar gjurmë. ”Arma e gjetur në pellgun e ujit, ende e paidentifikuar. Kemi administruar aktin e ekspertimit balistik të pistoletës”.
Pra arma vijon të mbetet mister se kujt personi i përket dhe në çfarë rrethanash u gjet larg vendit të vrasjes së Rashës. Akuza që do rikualifikohet do ngrihet për shkak se polici pasi e gjuajti njëherë, ka vazhduar të gjuajë sërish. Mësohet se viktimën e kapi një plumb që i shkaktoi vdekjen, ndërsa predha tjetër e plumbit ka kapur pjesën e jashtme të servisit që ishte në rrugicën ku po vraponte Klodian Rasha.
Kjo ngjarje ka sjellë reagime të forta. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen e parevokueshme, ndërsa prej disa ditësh mijëra të rinj u ngritën në protesta për të kërkuar drejtësi. Punonjësi i policisë u arrestua menjëherë pas ngjarjes tronditëse.