“Ekathimerini”: Shqipëria ka pretendime territoriale ndaj Greqisë

“Tirana zyrtare ka pretendime territoriale përgjatë kufirit me Greqinë, që ndan dy fqinjët e Ballkanit”.

Kështu shkruan sot gazeta e përditshme greke “Ekathimerini” në një artikull ku citon burime diplomatike. Në artikull shkruhet se Tirana zyrtare i ka dërguar Athinës një notë proteste për kërkimet për hidrokarbure që po bën ajo në detin Jon, pasi Tirana pretendon se kërkimet po bëhen në ujëra territoriale shqiptare. Media greke shkruan se kjo notë proteste është një lëvizje e qartë për të vënë në pikëpyetje kufijtë mes dy vendeve.

“Pas kësaj situate qëndron Turqia. Po e nxit Shqipërinë të punojë kundër interesave greke”, vijon shkrimi. “Ekathimerini” shkruan se vizita e presidentit turk në Tiranë pak ditë më parë, Rexhep Taip Erdogan i ka shërbyer këtij tensioni.

“Në një nivel politik, nota e protestës është parë si një iniciativë me rrezik të lartë për Shqipërinë dhe marrëdhëniet dypalëshe. Të njëjtat burime thanë se këto lëvizje janë të frymëzuar nga ideali nacionalist i të ashtuquajturës ‘Shqipëri e Madhe’ që është e popullarizuar në mesin e politikanëve të vendit”,shkruan media greke. Analistët dyshojnë se protestat shqiptare janë duke u ushqyer nga Turqia. Shqetësimet se Ankaraja është duke punuar kundër interesave greke në zonë u forcuan javën e kaluar, pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua në Tiranë me zyrtarë nga Partia nacionaliste për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU). Diplomatët i thanë ‘Kathimerini’t se takimi kishte më shumë gjasa për qëllim të rindezë një çështje në lidhje me riatdhesimin e shqiptarëve të Çamërisë të dëbuar nga Epiri në fund të Luftës së Dytë Botërore në vijim pretendimet se kishin bashkëpunuar me nazistët. “Greqia e konsideron çështje të mbyllur”, shkruan media greke.

“Në dritën e këtyre zhvillimeve, Ministri i Jashtëm Nikos Kotzias nuk e ka konfirmuar nëse ai do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Tiranë të premten”, e mbyll shkrimin media greke. 

SHKARKO APP