Ekonomia shtyn për në shtator diskutimin e amnistisë fiskale

Komisioni i Ekonomisë dhe ai i Ligjeve kanë shtyrë për në shtator shqyrtimin e projektligjit të amnistisë fiskale. Ky vendim u morr pasi u mblodhën të gjitha rekomandimet nga grupet e interesit, si shoqatat e biznesit, shoqata e bankave, Prokuroria etj, si dhe nga faktori ndërkombëtar, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Moneyval.

Sipërmarrja ka bërë propozime për disa ndryshime në draftin e amnistisë, përgatitur nga Ministria e Financave, mes tyre edhe lidhur me detyrat që do të ketë njësia speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, teksa shoqata e bankave ka bërë kërkesë për të sqaruar rolin e detajuar që do të kenë bankat në këtë proces.

Deputeti socialist, Anastas Angjeli, ish ministër i Financave shpjegoi se amnistia mund të jetë e suksesshme vetëm nëse arrin tre konsensuse: atë politik, konsensus me grupet e interesit dhe me faktorin ndërkombëtar. Pavarësisht vendimit për shtyrje, mazhoranca në komisionin e Ekonomisë theksoi se kjo nuk është një tërheqje nga amnistia, një nismë kjo që kryeministri kërkon ta zbatojë nga 1 janari 2021.

SHKARKO APP