Ekonomisti Soko kundër Beqajt: Shkurtimi i pagave dhe pensioneve do të shpërthente dinamitin social

Ekonomisti, Pano Soko, kundërshton ashpër propozimin e hedhur në treg nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për shkurtimin e pagave dhe pensioneve për përballimin e pasojave ekonomike nga pandemia Covid-19.

Duke analizuar situatën ekonomi, Soko në një intervistë për “Para dhe Pasuri” në Rtv Ora tha se historia ka treguar se prekja e pagave e pensioneve shpërthen dinamitin social që rri i fshehur.

Në gjykimin e tij, nuk duhet të shikohet epidemia dhe ekonomia më vete.

Soko: Pasi nuk mundet meqë na ka rënë zjarr në shtëpi të hidhemi nga ballkoni. Këtë po bëjmë. Të fundosësh ekonominë për të shpëtuar nga pandemia është “të të ketë rënë zjarr në shtëpi dhe të hidhesh nga ballkoni”. Ne duhet të kishim pasur një qasje më të zgjuar. Nuk kemi luksin e masave dragoniane. Masat dragoniane në raste pandemish janë luks i vendeve të pasura, si Katari, Norvegjia etj. Ne jemi vend i varfër e duhet të marrim masat sipas vendit tonë. Nuk ka vend ti shpëtojmë njerëzit nga pandemia e ti lëmë të vuajnë nga uria.

Pjesë nga intervista e Pano Sokos për “Para dhe Pasuri”

Si e shikon artikulimin e Kryeministrit se shqiptari nuk ka vdekur për bukë asnjëherë?

Soko: Kryeministri ka frikë nga koronavirusi se e zë, por jo krizën ekonomikë. Se kriza ekonomike nuk e zë kryeministrin. Kryeministri nuk e vret mendjen. Ata që janë përrreth Kryeministrit nuk do të preken nga kriza ekonomike, por të tjerët. Kanë nisur vetëvrasjet apo ata që nuk kanë bukë për të ushqyer kalamajt. Kush mendon se kriza ekonomike nuk vret njerëz është injorant. Kriza më e madhe pandemike e shekullit XX ka qenë gripi spanjoll e vrau 50 milionë njerëz. Kriza më e madhe ekonomike ka qenë “depresioni i madh” lindi një luftë botërore dhe u vranë 100 milionë njerëz. Nuk kemi luksin të shohim njërin krah. Në Shqipëri mungon racionalizmi.

Hipoteza e ish-ministrit të Shëndetësisë Beqajt për shkurtimin e shpenzimeve të pagave e pensioneve ishte test për opinionin publik apo mendim personal?

Soko: Shpresoj të ketë qenë mendim personal pasi prekja e pagave e pensioneve në histori ka treguar që shpërthen dinamitin social që rri i fshehur. Nëse do të ketë një minë sociale që do të shpërthejë do të jetë ky moment. Shpresoj që të jetë një ide e përçartë e një njeriu që ka njëmijë mëkate në këtë vend që e ka shkatërruar këtë vend dhe Shqipëria është këtu edhe për të. Qeveria të mos mendojë asnjëherë se mund të prekë lekët e mbijetesës. 100-200 e 300 euro janë mbijetesë. Nuk mundet ai që mbijeton të paguajë për dëmet që kanë shkaktuar këta. Që kanë vjedhur lekët për 30 vite resht dhe sidomos këta të fundit që e kanë pasur me vizë politike vjedhjen e lekëve. Ilir Beqaj i ka shkaktuar dëm 6 miliardë euro dëm. E pra këto 6 miliardë euro nuk do ti zëvendësojë ai që merr pension.

A ka një kontradiktë, ndërkohë që Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë promovojnë shkolla e investime publike nga ana tjetër diskutohet për uljen e pensioneve e pagave.

Soko: Sot që të duhen lekët ke marrëdhënie kontraktuale që të pengojnë. I kemi duart e lidhura tha ministrja e Financave. Pra lekët e shqiptarëve sot që u duhen nuk mund ti marrin shqiptarët sepse kjo qeveri e ky kryeministër i ka shpërndarë ku i ka dasht qefi me zero impaKt për ekonominë e shoqërinë. Ai që ka bërë dëm ekonomik, sepse ai dëm ekonomik nuk ka ardhur pa një bakshish të mirë, dhe ata që e kanë firmosur dëmin ekonomik të paguajnë diferencat e krizës, sepse nuk mundet të hanë një dhe dy dhe në fund të paguajnë të  gjithë. Jo. Ne nuk kemi hapësirë borxhi e rrezikon të dështojë eurbondi. Nuk ka besim njeri tek Shqipëria. Jemi vend me risk shumë të lartë. Ky problem i sotëm është derivuar nga një keqqeverisje e disa viteve më parë. Do të kishim mundësinë ta përballonim me dinjitet nëse do kishim pasur qeverisje më të mirë. Normalisht që do të kishte dëm ekonomik, por nuk mund të lëmë njerëzit të vdesin për bukë. U japin familjeve 100 euro në muaj dhe ua marrin 60 euro për ujë e drita. Apo 26 mijë lekë të reja. Hiq drita e ujë e sigurime shoqërore e u mbetet 120 euro. Të provojë kryeministri si jetohet me 26 mijë lekë në muaj.

Kush janë skenarët e ekonomisë shqiptare?

Soko: Nëse ndërron totalisht qasja dhe projektohet shpresë se ky vend do të vazhdojë të jetojë dhe ne si njerëz e kuptojmë që kur mbaron çdo gjë e nisim jetën ku e lamë më 6 mars, pra të vazhdojmë pa frikë me projektet që kishim atëherë mund të stopojmë humbjen dhe të rekuperojmë pak nga pak. Nëse ne nuk e bëjmë këtë gjë dhe e vijojmë me retorikën e frikës kjo krizë, kjo gjakderdhje do vazhdojë akoma dhe kam frikë se nuk do ia dalim dot dhe mund të shkojmë drejt skenarëve që i kemi harruar por që mund të përsëriten si ato të 1997.

SHKARKO APP