Ekrani para Skënderbeut, reagon KMSH: Aspak e qëllimtë
Ceremonia e festës së Kurban Bajramit është organizuar këtë të premte, nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Besimtarët janë falur në orët e para të mëngjesit në sheshin e ri, por ajo që ra në sy ka qenë vendosja e një ekrani që transmetonte ceremoninë, para monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky ekrani vendosur në një skelë disa metra të lartë,uronte besimtarët për Kurban Bajramin.
Sekretaria e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, e kontaktuar nga Shqiptarja.com, sqaroi se vendosja e ekranit nuk është bërë me tendencën për ta mbuluar monumentin e Heroit Kombëtar, duke e cilësuar madje injorancë pjesën e aludimit për mbulim, pasi thekson se as nuk është mbuluar. Sipas saj, ka qenë zgjedhje e organizatorëve vetëm për faljen e Kurban Bajramit, por aspak e qëllimtë dhe e lidhur me mbulimin e monumentit të Skënderbeut.