Eksperti i arsimit: Ja pse dolën humbës, maturantët me mesatare mbi 9
Situata me maturantët në prag të nisjes së vitit akademik, e ka gjetur Ministrinë e Arsimit nën akuza të rënda. Sot me mijëra maturantë, dolën në protestë përballë Kryeministrisë, për të ngritur zërin mbi situatat e pazakonta në të cilat ata po hasen, që nga shpërndarja e vonuar e teksteve shkollore deri tek ngërci tek lista e para e fituesve për shkollat e larta.
Me mijëra statuse dhe denoncimeve të vetë maturantëve, të cilët shprehen se janë të painformuar, se cfarë do të bëhet me jetën e tyre.
Ata protestuan sot, pasi nuk janë klasifikuar si fitues në listën paraprake të fituesve nga universitetet. Shumcia e tyre janë kundër reformës në arsimin e lartë, pas së cilës janë bërë edhe publikimet e listave të fituesve në universitete.
Sipas maturantëve, fitues në fazën e parë janë shpallur maturantë të cilët nuk kanë rezultate të larta, ndërkohë që maturantët që kanë pasur nota të mira ende nuk janë shpallur fitues në asnjë degë.
Për të shpjeguar situatën, një nga ekspertët e arsimit në vend, Fatmir Vejsiu, ka publikuar sot në rrjetet sociale, shkaqet, pse maturantët me mesatare mbi 9 humbën më shumë se 25% të pikëve në këtë vit akademik.
“Maturanti i renditur i 620 që ka patur mesatare 9.19 ka humbur më shumë sesa 25% të pikëve sepse në shtator 2015 ai nuk e dinte që në janar 2016 do të dilte një vendim i senatit të Universitetit të Tiranës ku do të thuhej se kandidatët për këtë degë duhet të kenë zgjedhur si lëndë preferenciale domosdoshmërisht edhe Sociologjinë dhe Filozofinë dhe Psikologjinë dhe Histori Arti dhe Histori Muzike. Senati paska përcaktuar si lëndë të parë preferenciale Historinë e Artit. Harrojnë se ajo zhvillohet kur shkolla nuk mundëson realizimin e lëndës ARTE dhe për këtë maturanti penalizohet me 5% të pikëve?! Sa turp!!”
Sakaq, po sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla qetësoi maturantët gjatë një takimi, duke thënë se lista e parë nuk është ajo përfundimtare e fituesve.
“Sistemi i ri është transparent, sjell më shumë meritë. Ajo që shihni sot nuk është lista përfundimtare e fituesve. Një student i mirë do të zgjedhë një nga 10 degët e preferuara dhe do të lërë të lira 9 të tjera”, deklaroi Nikolla. Në fund, sipas ministres, asnjë nuk do të mbesë i zhgënjyer nga ky “rankim në raport me të tjerët”. “Më të mirët zgjedhin të parët. Jemi në një situatë të një transparence më të plotë dhe të meritës”, tha Nikolla.
KOHA JONË SONDAZH

