Eksperti jep alarmin: Shqipëria laborator i kokainës për Europën

Është kthyer një trend klamuflimi i kokainës në arkat me banane që vijnë nga Ekuadori. 14 pako me kokainë u kapën sot në Portin e Durrësit. Kokaina u gjet pas një kontrolli të Policisë Kufitare, ku nga skaneri rezultoi se kontejneri kishte pësuar modifikime në pjesën e bazamentit, në të cilën edhe u gjet më pas e fshehur droga.

Për ekspertin e fushës kundër krimit, Fatjon Softa, Shqipëria është pikë kyçe e përpunimit të kokainës. ”Është çmenduri të mendosh këtë sasi kaq të madhe që kalon në një vend me 3 milionë banorë. Këtu ka laboratorë, siç herë pas here pa kapen, përpunues dhe përgatitës. Këto pastaj janë dalje për në Bashkimin Europian”, thotë Softa.

E njëjta skemë, droga e fshehur në banane apo në mish, vëzhgohet nga Ekuadori, në portin e Pireut ose në një tjetër port perëndimor, dhe ndalohet në portin e Durrësit. ”Meqenëse e vëzhgove në të gjithë rrugën, edhe në portet tranzit, deri në momentin e zbritjes, pse nuk e lë ngarkesën të shkoj në destinacion. Ky ndalim të bëhej në objekt, atje ku është vendi i shkarkimit dhe arrestimet të bëhen dhe me filmime”, nënvizon ai për ”Report Tv”.

Specialisti i policisë e sheh portin e Durrësit si pikën më strategjike të trafikut. Jo vetëm për pozicionin gjeografik, por edhe atë ekonomik. ”Gjithë tendenca e ngarkim-shkarkimit dhe import-eksporteve ngelin tek porti i Durrësit. Është porti më i madh edhe nga pikëpamje potenciale njerëzore, por edhe nga pikëpamja e kalimit të mallrave. Kështu që mundësia për të depërtuar është”.

https://kohajone.com/kokaina-ne-banane-shqiperia-pike-grumbullimi-video/

SHKARKO APP