Ekzekutimi i 47-vjeçarit për gjakmarrje
Gjakmarrja vijon të shtojë numrin e viktimave në vend. Krimi që tronditi Shkodrën të dielën, ka si pistë pikërisht këtë fenomen. Viktimë e këtij atentati ka mbetur 47-vjeçari Prekë Tonaj, punonjës i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër.
Në bazë të dinamikës së ngjarjes, një person i maskuar është afruar pranë lokalit ku qëndronte viktima dhe pasi ky i fundit doli, hapi zjarr me armë automatike. Plumbat e shumtë i shkaktuan Tonajt vdekjen e menjëhershme. Autori i krimit ka mundur që të largohet me shpejtësi, ndaj dhe forcat e policisë nuk kanë asnjë të dhënë mbi identitetin e tij.
Nga ana tjetër, viktima figuron një person i njohur për Policinë e Shkodrës. 11 vite më parë ai ka qenë i proceduar bashkë me dy persona të tjerë, si të dyshuar për planifikimin e një vrasje. Viktimës i kanë vrarë edhe dy vëllezër të tjerë.
Nisur nga e kaluara e 47-vjeçarit, grupi hetimor dyshon se edhe kjo ngjarje mund të ketë si motiv gjakmarrjen, por ende nuk ka një pistë zyrtare për autorin dhe as për motivet e këtij atentati.
KOHA JONË SONDAZH

