Ekzekutimi i biznesmenit durrsak: Ja tre pistat e hetimit
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, në afërsi të zonës Iliria, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 39-vjeçari Shpëtim Shala. Autori qëlloi 15 herë mbi viktimën, me një automatik me silenciator. Biznesmeni ishte proceduar më parë për trafik narkotikësh, por mori pafajësinë në Gjykatën e Lartë. Policia po heton në tri pista, shoqërohen 15 persona.
Një biznesmen është vrarë në qytetin e Durrësit, teksa ndodhej në automjetin e tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, në zonën e njohur si Iliria në qytetin e Durrësit. Viktimë e plumbave mbeti Shpëtim Shala, 39-vjeçari baba i tre fëmijëve, që njihet edhe si pronar i disa dyqaneve në këtë zonë.
Vrasja e tij u regjistrua teksa ishte në automjet pranë një rrugice mes pallatesh.
Dëshmitarët dëgjuan zhurma të mbytura arme dhe kur u afruan pranë automjetit tip ‘Volkswagen 5’, me targa AA 086 HJ konstatuan trupin e pajetë brenda në makinë. Jo pak, por 15 plumba janë zbrazur në trupin e Shalës, duke e lënë të vdekur në vend.
Dyshohet se biznesmeni e ka njohur autorin, pasi dëshmitarët flasin se ai ishte në lëvizje dhe sapo ka parë personin në rrugë, ka ndaluar.
Menjëherë është derdhur në distancë të afërt breshëri automatiku (dyshohet një armë scorpion me silenciator), duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas autori u largua mes pallatesh në zonën e plazhit.
Forca të shumta policie shkuan në vendin e ngjarjes, por ende nuk ka emra konkret mbi autorët e mundshëm apo arrestimin e tyre.
Krimi u shënua mesditën e ditës së fundit të javës, ku kjo zonë ishte mjaft e populluar.
Sipas policisë, dyshohet se është qëlluar disa herë dhe 15 plumba e kanë kapur në trup, duke kryer një ekzekutim të pastër.
Viktima është gjendur në befasi, pasi nga këqyrja e vendit të ngjarjes, 39-vjeçari ndodhej në timonin e automjetit të tij dhe nuk ka pasur asnjë mundësi reagimi.
Dëshmitarët kanë treguar për zhurma të mbytura dhe më pas teksa u afruan në automjet që i ishin thyer xhamat, konstatuan viktimën.
Drejt komisariatit u shoqëruan 15 persona, që mendohet se mund të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë.
Për të zbardhur shkakun e vrasjes, policia po verifikon të shkuarën e 39-vjeçarit. Mësohet se ai ishte person i skeduar më parë dhe proceduar penalisht për trafik të lëndëve narkotike në vitin 2011.
Ndonëse policia kishte zbuluar një sasi kanabisi në bilardon në pronësi të Shalës, ai u hetua në gjendje të lirë dhe në vitin 2015 mori përfundimisht pafajësinë nga ana e Gjykatës së Lartë, pavarësisht se prokuroria kishte kërkuar dënimin me burg.
Gjithashtu, ai është shoqëruar në polici edhe për ngjarje të tjera të ndodhura kryesisht në Durrës. Pistat e para të hetimit janë ato të një vrasjeje për hakmarrje dhe të implikimit të mundshëm në trafikun e lëndëve narkotike.
Ndërkohë, po hetohet edhe një konflikt i biznesmenit në ditët e fundit, pasi ka pasur mosmarrëveshje me një person.
Ngjarja e djeshme shokoi shumë pushues që gjendeshin aty pranë.
Krime të tilla shtohen gjatë periudhës së verës dhe objekt i atentateve janë kryesisht persona të cilët kthehen nga emigracioni për pushime.
E shkuara e tyre e dyshimtë në vendet ku jetojnë, apo konfliktet e hapura që kanë lënë para se të largohen, janë bërë shkak i krimeve të rënda.
Në ngjarje të tilla ku ka shumë pushues, pasojat janë edhe më tragjike, pasi viktimë e plumbave mund të bien edhe persona që ndodhen rastësisht në vendin ku shkrehen armë.
Ndonëse në zonat bregdetare ka një numër më të madh të punonjësve të rendit, të cilët patrullojnë, përsëri krime të tilla nuk kanë munguar, për më shumë që autorët shpesh arrijnë që të largohen.
Durrësi mbetet problematik për sa u përket vrasjeve, pasi vetëm në gjashtë muajt e fundit janë regjistruar shtatë viktima, të ekzekutuar me armë zjarri. MAPO
KOHA JONË SONDAZH

