Ekzekutimi i biznesmenit, në pranga 28-vjeçari. Policia: Heshti për vrasjen
Kur po kalon 1 muaj nga vrasja e biznesmenit të kafesë në Vlorë, Vasil Dervishaj, policia ndaloi të mërkurën një tjetër të dyshuar për vrasjes, dhe ai është Donel.Sh, 28-vjeç, banues në Vlorë. Sipas policisë, ndalimi i 28-vjeçarit është bërë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin Nr.169 të datës 20 qershor 2018, vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Edhe pse po kalon një muaj nga vrasja që terrorizoi Vlorën, ende nuk janë mësuar shkaqet pse u vra 28-vjeçari, edhe pse ai u përfshi në sherr me disa bashkëmoshatarë. Vasil Dervishaj duket se e priste një atentat nga personat me të cilët ishte konfliktuar disa ditë më parë në lokalin e tij, “Gimoka”. Në natën e krimit, 28-vjeçari kishte shkuar të sqarohej me E.A, 31-vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë, A.C, 28-vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë, Nekid Arapi, 21-vjeç, banues në Vlorë dhe Amarildo Grembi (Muka), 28-vjeç.
Të parët akuzohen si autorët e vrasjes së Vasil Dervishajt, ndërsa dy të tjerët kanë përkrahur autorët e krimit pas ngjarjes, duke i ndihmuar të largohen nga vendi i ngjarjes. Nuk dihen as shkaku pse ndodhi ky debat mes viktimës dhe personave në fjalë. Pas vrasjes së biznesmenit 29-vjeçar, autorët e dyshuar kanë tentuar të ikin jashtë Shqipërisë. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar vetëm lëvizjet e automjeteve, por jo momentin e krimit.
Ngjarja
Shumë pista janë për ekzekutimin e Vasil Dervishajt, pronar i një bar-kafeje të quajtur “Gimoka”, dhe të një dyqani elektroshtëpiakesh, por ende arsyeja e vrasjes nuk është zbardhur, edhe pse duket se ka ardhur pas një sherri. Ai u ekzekutua me një plumb në kokë teksa dilte nga automjeti i tij, në lagjen “Pavarësia”, mbrëmjen e 4 qershorit. Biznesmeni Dervishaj mësohet se kishte ndërhyrë pas sherrit të një të afërmi të tij me autorët e dyshuar.
Ndërkohë, ata kanë debatuar edhe në telefon pak orë përpara se të ndodhte krimi, ndërsa nga burime të besueshme mësohet se biznesmeni kishte shkuar të sqarohej me autorët mbrëmjen kur u vra. Pas vrasjes së biznesmenit 29-vjeçar, autorët kanë tentuar të ikin jashtë Shqipërisë. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar vetëm lëvizjet e automjeteve, por jo momentin e krimit. Vasil Dervishaj u qëllua me dy plumba, një prej të cilëve në kokë i cili i ka marrë edhe jetën në vend.
Autorët
Në burg është një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 29-vjeçarit Vasil Dervishaj, ngjarje e ndodhur të hënën e 4 qershorit. Për 28-vjeçarin A. Çaushaj, Gjykata dha më datën 8 qershor, masën e sigurisë “arrest me burg”, sikurse edhe njëri prej dy personave që ndihmuan në vrasjen e Dervishajt, Amarildo Grembi. Ndërkohë, i dyshuari tjetër si person që ndihmoi në vrasje, Nekid Arapi është lënë në “arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike.
Vendimet janë dhënë nga gjyqtarja Elona Mihali. Mbi 28-vjeçarin Çaushaj rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. Gjatë hetimeve janë sekuestruar një automjet Audi, një palë targa italiane që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së krimit, një xhup dhe një kapuç.
KOHA JONË SONDAZH

