Ekzekutimi i kandidatit nga një vrasës me pagesë, Rrumbullaku shkon në Lezhë
Kandidati për Këshillin Bashkiak të Lezhës, biznesmeni Ardian Nikulaj u vra në mes të fushatës elektorale. Ekzekutimi i 50-vjeçarit në lokalin e tij në Shëngjin teksa ishte duke konsumuar kafen, vijon të mbetet pa autor.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë autorit mendohet të ketë ardhur nga Shkodra dhe duket lëvizur me një motor “Skuter”, kamufluar me skafandër dhe një jelek fosforishent, i ngjashëm me ato të policisë rrugore.
Për të realizuar atentatin ndaj biznesmenit mendohet të kenë bashkëpunuar me njëri tjetrin një sërë personash, të cilët kanë ndjekur lëvizjet e objektivit, duke sinjalizuar autorin për të kryer vrasjen, pikërisht në momentin kur ka hyre në lokalin “Coral” në pronësi të tij në vijën e parë të bregdetit të Shëngjinit.
Nga veprimet hetimore të kryera është dalë në konkluzionin se autori ka qenë një vrasës, profesionist duke vepruar qetësisht pa lënë gjurmë dhe pa dëmtuar persona të tjerë që ndodheshin në lokal. Në Drejtorinë e Policisë së Lezhës ka shkuar vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.