Ekzekutimi i menaxherit të vipave, zbardhet e gjithë dinamika
Një ditë pas vrasjes së 26-vjeçarit Jurgen Kurti, Policia ka ngritur pistën e hakmarrjes si motivin e mundshëm të krimit të 18 marsit. Hetuesit kanë identifikuar automjetin me të cilin janë larguar autorët, një makinë ”Mercedez-Benz”, ngjyrë gri.
Në policinë e Durrësit dhe të Tiranës janë shoqëruar disa persona, mes tyre dhe bashkëshortja e Agim Arapit, e cila tha se kërkuar burgun për Jurgen Kurtin dhe jo vdekjen e tij. Vjollca Arapi tha se ngjarjen e mësoi nga media ndërsa çështjen ia kishte lënë në dorë drejtësisë.
”E kam mësuar ngjarjen përmes televizorit. Unë kam kërkuar burgun, drejtësinë, jo vdekjen e tij. Unë e kam akuzuar por ia kisha lënë në dorë Zotit, pasi drejtësia dështoi të bëjë drejtësi. Më morën ne pyetje por unë nuk di gjë për vrasjen dhe 3 fëmijët e mi jetojnë në Itali”.
Ngjarja
Mbrëmjen e 18 marsit në rrugën “Zef Jubani”, në Tiranë, Kurti ishte duke u kthyer në banesë pasi kishte dalë nga palestra, ndërsa autorët e kanë ndjekur nga kjo rrugë deri tek shkallët e pallatit, ku më pas kanë qëlluar me breshëri automatiku. Kurti është goditur nga 3 plumba të cilët i shkaktuan vdekjen e menjëhershme, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur më shumë se 20 gëzhoja. Autorët e maskuar janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një makinë ”Mercedez Benz” ngjyrë gri. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë ndërsa mësohet se nuk kanë ndihmuar shumë për zbardhjen e ngjarjes.
Kush është viktima?
Jurgen Kurti ishte ndaluar nga policia dy herë për përfshirjen në dy vrasje. Në 2016 ai u arrestua së bashku me dajën Leonad Ristani për vrasjen e babait të Jurgenit, Artur Kurti. Por daja mori përsipër autorësinë e vrasjes dhe Jurgeni u lirua. Një vit më vonë ai do të përfshihej në një tjetër ngjarje, kësaj here për vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi. Ai u arrestua së bashku me vjehrrin e tij, Konstadin Ekonomi dhe vëllanë e tij, Kujtim Ekonomi për vrasjen për motive pronësie por më pas u la i lirë.
KOHA JONË SONDAZH

