
Në kuadër të Democracy Week, të organizuar nga European Policy Dialogue Forum (EPDF), Woman Center for Development and Culture Albania (WCDCA), në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit dhe Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar, lançoi nismën “Kultura e Takimit: Dialogu Ndërfetar në Veprim për Mbrojtjen e Klimës në Elbasan”.
Aktiviteti, i zhvilluar në ambientet e Prefekturës së Qarkut Elbasan, mblodhi drejtues të komuniteteve fetare, gra lidere, përfaqësues të institucioneve vendore dhe të shoqërisë civile, për të diskutuar problematikat mjedisore të qytetit dhe rolin e bashkëpunimit ndërfetar në ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Takimi u moderua nga Dr. Rudina Çollaku, drejtoreshë e Woman Center for Development and Culture Albania, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare, institucioneve publike dhe shoqërisë civile për adresimin e sfidave klimatike dhe mjedisore.
Kryetari i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, pastori Ilir Isaraj, vuri në dukje rolin që institucionet fetare mund të luajnë në ndërgjegjësimin e opinionit publik për mbrojtjen e natyrës. Sipas tij, vlerat morale dhe fetare përbëjnë një bazë të rëndësishme për edukimin e qytetarëve me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj mjedisit.
Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, theksoi se toka është një amanet që Krijuesi ia ka besuar njeriut dhe se ruajtja e saj përbën përgjegjësi morale dhe fetare. Ai ngriti shqetësimin për problematikat mjedisore me të cilat përballet Elbasani, duke kërkuar vëmendje më të madhe politike, institucionale dhe shoqërore.
At Stavri Çipi u ndal te rreziku i zjarreve në pyje dhe djegia e mbetjeve, duke theksuar se këto veprime dëmtojnë mjedisin, ndotin ajrin dhe rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Ai bëri thirrje për më shumë përgjegjësi individuale dhe komunitare në parandalimin e këtyre dukurive.
Dr. Arben Ramkaj tërhoqi vëmendjen te nevoja për një përfshirje më të gjerë të besimtarëve në proceset e ndërgjegjësimit mjedisor. Ai theksoi se një pjesë e konsiderueshme e frekuentuesve të objekteve të kultit mbetet ende jashtë informimit dhe angazhimit aktiv për çështjet klimatike dhe mjedisore.
Sipas tij, mbrojtja e mjedisit, shëndeti publik dhe siguria brenda dhe jashtë objekteve të kultit duhet të jenë pjesë e përparësive të komuniteteve fetare dhe jo të trajtohen si çështje dytësore.
Sekretarja e Përgjithshme e Prefekturës së Qarkut Elbasan, znj. Spaho, theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare, institucioneve vendore dhe sistemit arsimor, duke kërkuar që ky bashkëpunim të përkthehet në veprimtari konkrete dhe rezultate të dukshme për qytetarët.
Përfaqësuesja e Kishës Protestante, Mirela Gjoni, ngriti shqetësimin për ndotjen e mjedisit dhe pasojat e mundshme në shëndetin e popullsisë, veçanërisht në lidhje me sëmundjet onkologjike dhe shëndetin e grave.
Ndërsa Migena Kapllani, arsimtare dhe përfaqësuese e Kishës së Shën Piut, theksoi rëndësinë e kapërcimit të skepticizmit në marrëdhëniet ndërmjet aktorëve fetarë dhe institucioneve arsimore, duke propozuar më shumë aktivitete të përbashkëta me të rinjtë për edukimin mjedisor.
Një vëmendje e veçantë gjatë diskutimeve iu kushtua rolit të grave lidere në komunitetet fetare dhe mundësive për rritjen e përfaqësimit dhe angazhimit të tyre në nismat mjedisore dhe në bashkëpunimin me institucionet publike.
Pjesëmarrësit evidentuan gjithashtu nevojën për përmirësimin e infrastrukturës së objekteve të kultit, forcimin e ndërgjegjësimit mjedisor dhe rritjen e përgatitjes për situata emergjente.
Rekomandimet e takimit do të përfshihen në një udhëzues praktik dhe do të diskutohen në një tryezë të përbashkët me institucionet vendore, me synimin për të përcaktuar masa konkrete në mbrojtje të mjedisit në Elbasan.
Nisma zbatohet nga Woman Center for Development and Culture Albania (WCDCA), në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit dhe Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar, me mbështetjen e Qendrës Ndërkombëtare Mbreti Abdullah bin Abdulaziz për Dialogun Ndërfetar dhe Ndërkulturor (KAICIID).

