Elbasan, nënshkruhet marrëveshja për rikualifikimin e Kalasë: Do të jetë një motor zhvillimi për qytetin
Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Bashkia Elbasan, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor (MSHPV), nënshkruan sot marrëveshjen për rikualifikimin e lagjes Kala të qytetit të Elbasanit, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të qytetit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e projektit për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Kalasë si një destinacion turistik. Ai theksoi se ky projekt ka potencialin të sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve në Elbasan, duke përmirësuar gjithashtu vlerën e pronave dhe mundësitë ekonomike për banorët e lagjes Kala.
“Ka një fakt që duhet adresuar dhe përmbysur. Ndërkohë që Berati ka arritur në 800 mijë vizitorë, Elbasani ka vetëm 20-25 mijë vizitorë. Këto shifra mund dhe do të përmbysen shumë shpejt me projektin e Kalasë, sepse ajo ka një histori dhe një potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar turizmin,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se kalaja e Elbasanit ka një rëndësi të veçantë për identitetin kulturor dhe fetar të qytetit, duke ofruar mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe prosperitetin e komunitetit. Ai po ashtu shprehu bindjen se investimet në infrastrukturë, si ndërtimi i bajpasit të ri të Elbasanit, do ta bëjnë qytetin më të aksesueshëm dhe më tërheqës për turistët.
“Nëse ne do të arrijmë të bëjmë një projekt të nivelit ‘kriminal’ të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, atëherë do të kemi absolutisht më shumë turistë. Besoj se duke shfrytëzuar gjithë këto komponentë të fshehur që ka Kalaja, ne do të arrijmë të kemi një rritje shumë të madhe të numrit të vizitorëve brenda në lagje. Kjo do të bëjë që vlera e pronës, e shtëpive në lagje të rritet eksponencialisht”, shtoi Rama.
“Kalaja e Elbasanit ka potencial të jashtëzakonshëm dhe me një projekt të suksesshëm, do të kemi një rritje të madhe të vizitorëve dhe një zhvillim të qëndrueshëm për qytetin,” përfundoi Kryeministri Rama.
Gjithashtu, Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, theksoi rëndësinë e këtij projekti për transformimin ekonomik dhe turistik të Elbasanit. Ai përmendi projektin ambicioz të “Auto Moto Park Albania”, që do të bëhet qendra kryesore e automotorizimit në Shqipëri, duke kontribuar në edukimin mbi sigurinë rrugore dhe zhvillimin e motosportit, me standardet për gara të Formula 1. Gonxhja gjithashtu theksoi se ky projekt do të kontribuojë në zhvillimin e Elbasanit, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për turistët dhe investitorët.
“Me projektet e reja, Elbasani do të shndërrohet në një destinacion të fuqishëm turistik, me mundësi për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë qytetin,” tha Gonxhja.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ishte i pranishëm gjithashtu Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, i cili u shpreh se projekti do të sjellë një transformim të dukshëm për Elbasanin, duke bërë të mundur që, në dy ose tri vitet e ardhshme, qyteti të tërheqë 1 milion turistë.
“Sot nisim këtë rrugëtim, dhe jam i sigurt se ky transformim do të jetë një sukses për Elbasanin, duke e bërë qytetin një destinacion tërheqës për turistët dhe duke rritur mundësitë për banorët e tij,” tha Mazniku.
“Kemi filluar punën për rikonceptimin dhe rivitalizimin e të gjithë Metalurgjikut, si një zonë logjistike dhe zhvillimi të kompanive dhe të zhvillimit të territorit, ҫka gjithashtu krijon një pol shumë të rëndësishëm mes 3 akseve të rëndësishme. Rruga e re që ka nisur nga Lekaj në Elbasan, By pass-i i Elbasanit e lidhur me unazën e vendos këtë zonë në një pikë shumë të rëndësishme logjistike, duke krijuar një pol të rëndësishëm të një zhvillimi alternativ. Sot aty kemi më shumë se 30-40 kompani, të cilat punësojnë më shumë se 4 mijë veta dhe vetëm taksa paguajnë rreth 40 milionë euro taska në vit. pra kemi një ekonomi goxha të gjallë, e cila mund të 2-fishohet, 3-fishohet kollaj. Dhe në këtë mënyrë, midis Kalasë, midis Automootparkut dhe rikonceptimit të Metalurgjikut krijojmë tre pole të zhvillimit ekonomik të qytetit, ҫka e vendosin ashtu siç duhet në fakt Elbasanin, që nuk është thjesht gjeografikisht në kërthizë të Shqipërisë, por e vendosin në fokus të një zhvillimi shumë të rëndësishëm ekonomik për të ardhmen”, tha Mazniku.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e Elbasanit dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore me rajonin dhe më gjerë.
Sot është një ditë e shënuar për Elbasanin, një ditë e shumëpritur për ne të gjithë ku një punë e madhe e bërë paraprakisht sot konkludohet me një vizion të ri. Kalaja ka pasur shumë histori, por Kalaja e historisë moderne ka pasur për ne në Elbasan një zhvillim jo fort të kënaqur, ku shumë ndërtime pas viteve 90 shumë ndërhyrje të bëra në thelb kanë dëmtuar shumë nga historiku jonë. Sot ne jemi në një ditë historike për ta rikthyer kalanë e Elbasanit në vlerat e saj maksimale, për ta rikthyer identitetin, për të gurëzuar historikun e saj dhe për të bërë të mundur që fëmijët tanë dhe të gjithë shqiptarët dhe turistët ta njohin kulturën, traditën që kemi ne në Elbasan, jo vetëm kulinarinë tonë të cilën ne kemi dhe shquhemi. Dua të falënderoj ADF për mbështetjen dhe punën e madhe që kemi bërë për konkretizimin e këtij projekti, dhe jam optimist që do të vazhdojë në të ardhmen në një projekt fantastik për Elbasanit, rivitalizimin e Kalasë dhe turizmin e Elbasanit. Është një fat i madh por një punë e madhe e bërë nga kryeministri dhe qeveria shqiptare që ne sot në Shqipëri kemi një turizëm që shkëlqen, dhe kjo për mua si kryetar bashkie është një sfidë, që këta turistë të vijnë në Elbasan të sjellin ekonominë në Elbasan. Bashkë me ADF ne do të jemi motorë të zhvillimit për ruajtjen e identitetit të kalasë dhe historinë epërbashkët të qytetit të Elbasanit. Sot është një ditë e madhe për ne pasi pas 30 vitesh vetëm është folur se do të bëhet por sot është dita të fillojë puna konkrete, për rivitalizimin e saj, për muzetë që i kemi nisur, dhe ato që do të shtojmë, duke përfshirë shtëpinë e Lef Nosit, muzeun e Aleksandër Xhuvanit ish muzeun e arsimit të cilin po e rivitalizojmë, dhe një sërë insitucionesh të tjerta që ne i kemi Brenda Kalasë por edhe në qytet. Ne kemi bërë një hartë me të gjitha pikat tona potenciale që kemi si Gjinari, Tregani dhe Funari, por kalaja e Elbasanit është magnet ii fortë dhe ai xhevahiri në gjerdanin tonë të Elbasanit.