Elbasan/Policia Rrugore takime me nxënësit për sigurinë rrugore
Zbatimi i rregullave të qarkullimit nga fëmijët, model për gjithë shoqërinë, ishte në fokus të takimeve sensibilizuese të Policisë Rrugore të Elbasanit me nxënës të gjimnazeve të këtij qyteti. ”Ashtu siç mëson të luash sport apo të luash muzikë që në fëmijëri, ashtu dhe rregullat e qarkullimit duhen mësuar që në bankat e shkollës. Informimi dhe ndërgjegjësimi i fëmijëve që në moshë të vogël i shërben aftësimit të tyre për të kuptuar më mirë rreziqet kur kalojnë në rrugë”, ishte mesazhi i përcjellë nga Policia e Elbasanit te nxënësit.
Shefi i Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Adriatik Hudi, përgjatë javës së bashku me shërbimet e Policisë Rrugore kanë zhvilluar takime sensibilizuese në formën e një bashkëbisedimi me nxënësit e gjimnazeve në gjithë Qarkun Elbasan, për t’i informuar mbi rregullat e qarkullimit rrugor dhe pasojat që vijnë nga moszbatimi i tyre.
Nëpërmjet fëmijëve, mund të ndërgjegjësohet e gjithë shoqëria për vlerën e jetës por edhe për të kuptuar rëndësinë e angazhimit të Policisë për një shoqëri më të sigurt. Fëmijët të veshur me jelekët fosforeshentë të Policisë dhe të shoqëruar edhe nga punonjësit e Policisë Rrugore dhe ata të policimit në komunitet zhvilluan në rrugë orë praktike ndërgjegjësuese për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.