Elbasani bëhet qendër bashkëpunimi për zhvillimin e qëndrueshëm
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, priti delegacionin e Forumit të Partneritetit të Gap Fund, një iniciativë e rëndësishme që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballjen me sfidat klimatike.
Në delegacion ishin përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Qeverisë së Luksemburgut, GIZ, Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Botërore.
Gjatë takimit u diskutua për projektin e ndriçimit inteligjent të rrugëve dhe rritjen e efiçencës së energjisë në ndërtesat publike, dy iniciativa që synojnë përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Falënderojmë Gap Fund dhe European Investment Bank për mbështetjen e tyre në këtë rrugëtim. Elbasani po tregon se mund të jetë model për zhvillimin e qëndrueshëm dhe efikasitetin energjetik në rajon,” u shpreh kryetari Llatja.
Ky bashkëpunim është dëshmi e angazhimit të qytetit për një të ardhme më të gjelbër dhe inovative, duke e pozicionuar Elbasanin si një pikë referimi për politikat e qëndrueshme në rajon.