Elez Biberaj: “Qeveria amerikane mbylli sot Zëri i Amerikës!”. Edhe radios “Europa e Lirë” iu kyç fondi financiar

Trump vazhdon reformat e tij radikale. Ai ka vendosur të mbyllë “Zërin e Amerikës”. Lajmi është bërë i ditur nga një prej gazetarëve të rëndësishëm të “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj.

“Zëri i Amerikës, një fener shprese dhe të vërtetës për qindra miliona anembanë globit, u mbyll sot në emër të reduktimit të burokracisë federale. Për më shumë se tetë dekada, Zëri i Amerikës ka qenë një forcë jetike në promovimin e idealeve demokratike të Amerikës, duke paraqitur me besnikëri politikat e SHBA-së, duke avancuar interesat kombëtare dhe duke shërbyer si një burim i besueshëm lajmesh të besueshme për miliona në rajone të privuara nga informacioni.

Vendimi për të çmontuar një nga asetet më të mëdha kombëtare të Amerikës do të shkaktojë dëm të thellë në imazhin e SHBA-së, interesat e saj globale dhe promovimin e vlerave demokratike – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë. Sot shënon një kapitull thellësisht të trishtuar në historinë e angazhimit të Amerikës me botën”, shkruan Biberaj.

Ndërkohë lideri demokrat Berisha e quajti mbylljen e “Zëri të Amerikës” si akt anticensure!!

Mbyllet edhe radio “Europa e Lirë”:

Presidenti amerikan Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon shkurtime të mëdha në shtatë agjenci federale – përfshirë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM) e cila mbikëqyr Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit tjerë federalë.

Urdhri i nënshkruar në orët e vona të 14 marsit, shënjestron edhe agjenci që merren me të pastrehët, mosmarrëveshjet në punë dhe zhvillimin e komunitetit.

“Brenda shtatë ditëve prej datës së këtij urdhri, kreu i secilit entitet qeveritar që është renditur [në urdhër] duhet t’ia dorëzojë një raport drejtorit të Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet, për të konfirmuar zbatimin e plotë të këtij vendimi dhe të sqarojë se cilët komponentë apo funksione të njësive qeveritare – nëse ka të tillë – kërkohen me ligj dhe në çfarë shkalle”, është thënë në urdhër.

Disa orë pas publikimit të urdhrit ekzekutiv, mediat publikuan një letër nga USAGM-ja, ku thuhej se granti i miratuar nga Kongresi për financimin e Radios Evropa e Lirë, është ndërprerë.

Agjencia e SHBA-së për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare e SHBA-së që mbikëqyr media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë dhe shtrihen te 361 milionë njerëz në baza javore.

Buxheti që ka kërkuar kjo agjenci për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milionë dollarë për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.

Aty përfshihen mediat sikurse Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Përgjatë mandatit të parë, Trump – i cili ka marrë një mori vendimesh për t’i zvogëluar shpenzimet qeveritare prej kur ka nisur mandatin e dytë në janar – e ka kritikuar USAGM-in lidhur me pavarësinë editoriale dhe drejtimin që u është dhënë programeve.

Ai i ka përsëritur këto shqetësime edhe pasi ka nisur mandatin e dytë. Mbështetësit e transmetueseve, në anën tjetër, vlerësojnë se ata janë mjet i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.

Përveç USAGM-it, urdhri shënjestrën edhe Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit, Qendrën kërkimore ndërkombëtare Woodrow Wilson në Institutin Smithsonian, Institutin për Shërbime të Muzeut dhe Bibliotekës, Këshillin Ndërinstitucional të Shteteve të Bashkuara për të Pastrehët, Fondin e Institucioneve Financiare për Zhvillimin e Komunitetit, dhe Agjencinë për Zhvillimin e Biznesit të Minoriteteve.

SHKARKO APP