Elez Biberaj: Shqipëria vendi më i korruptuar në Europë, PS kontrollon çdo pushtet
Nga Zëri i Amerikës –
Në Tiranë, 30 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA – Shqipëri u përkujtua sot në konferencën e Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare: “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane: e Shkuara, e Sotmja dhe e Nesërmja”. Në Konferencë ishin të ftuar Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare ftoi sot studiues, diplomatë dhe historianë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u vlerësuan nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ministrja e jashtme, Olta Xhaçka, si dhe studiuesi njohur, Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë në Zërin e Amerikës.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, kujtoi detaje nga hapat e parë të veprimtarisë diplomatike të ambasadës së rihapur amerikane në Shqipëri dhe vizitën e sekretarit të shtetit James Baker, që u përcoll nga mbi 300 mijë shqiptarë. Qysh nga ajo kohë marrëdhëniet shqiptaro – amerikane janë zhvilluar mjaft” – tha ambasadorja Kim.
“SHBA kanë qenë dhe janë një partner, mik dhe aleat i fortë në përpjekjet e shqipërisë për të forcuar demokracinë, për të hapur dhe rritur eonominë, dhe për të shtuar mundësitë për gjithë popullin. SHBA mbështet qëllimet e shqipërisë për anëtarësim në BE pas anëtarësimit në NATO. Po ashtu e mbështet shqipërinë në zbatimin e reformës në sistemin gjyqësor, dhe do të mbështesë gjithmonë përpjekjet e saj për integrim dhe zhvillim”, – tha ambasadorja Kim.
Ministrja e jashtme Olta xhacka tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA janë shumë të rëndësishme edhe jetike, sic janë dëshmuar në gjithë historinë.
“Marrëdhëniet midis dy vendeve janë historikisht të jashtëzakonshme dhe aktualisht tepër të ngushta si në aspektin diplomatik, ushtarak dhe ekonomik. Mjafton të hidhet një vështrim i shpejtë në historinë para regjimit komunist dhe tani në 30 vjet demokraci për të vërtetuar rëndësinë dhe frytet e aleance strategjitke” – tha ministrja Xhakça.
Folësi kryesor në konferencë ishte studiuesi i njohur, dr. Elez Biberaj, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë në Zërin e Amerikës, me temën Amerika dhe Shqipëria: Nga armiq të papajtueshëm te partnerë strategjikë.
Biberaj tha se marrëdhëniet mes Amerikës dhe Shqipërisë duhet të ushqehen vazhdimisht dhe jo të merren si të mirëqena, statike dhe të përhershme dhe se në themel të marrëdhënieve janë vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimi i Shqipërisë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.
Sipas tij, veprimet që minojnë praktikat demokratike jo vetëm që mund të minojnë marrëdhëniet, por mund të sjellin një ndryshim në qëndrimet e SHBA dhe, në rastin më të keq, një rishikim thelbësor të lidhjeve mes dy vendeve.
“Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Evropë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet”, – tha zoti Biberaj.
Ai shtoi se polarizimi politik, korrupsioni i përhapur në radhët e zyrtarëve publikë dhe atyre në poste të larta, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit kanë pasur një kosto të madhe dhe vazhdojnë të paraqesin një kërcënim ekzistencial për demokracinë e Shqipërisë.
“Pikërisht institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin – zyrtarët qeveritarë, anëtarët e parlamentit, politikanët, gjykatat dhe gjyqtarët, prokurorët dhe policia – janë ato që po e minojnë fushatën kundër korrupsionit”,- tha zoti Biberaj.
Shqipëria dhe SHBA rivendosën marrëdhëniet diplomatike në marsin 1991, pas 45 vjet diktature komuniste.
Megjithë egërsinë e diktaturës komuniste, shqiptarët e thjeshtë në Shqipëri dhe Kosovë panë dhe shohin tek SHBA shpresën dhe mikun e tyre më të madh.