Elezi: Shqipëria e pa organizuar për rikthimin e fëmijëve nga kampi sirian
Teksa një ditë më parë u riatdhesuan 5 shqiptarë, mes tyre 4 fëmijë, të cilët prej vitesh ndodhin në një nga kampet më famëkeqe, atë Al-Hawl në Siri, mbrëmjen e sotme i ftuar në studion e Ora News, Drejtori për Siguri i Institutit të Kosovës, për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi foli për atë se ç’po ndodh në atë shtet. Lidhur me këtë kamp, ai tha se është një ndër më të vështirët për të hyrë në të, për shkak të kontrollit të rreptë.
Elezi: Është shumë e vështirë, sepse Kampi Al-Hawl mund të kontrollohet akoma nga forcat kurde, qofshin ato të grave apo të rriturve. Megjithatë unë mendoj që ekzistojnë mundësitë dhe ky aksion e vërtetoi këtë pretendim. Edhe pse ishte pak e ndërlikuar sepse personat që u futën në kamp ishin të armatosur dhe reflektimi i turmës është zakonisht i tillë që nuk pranojnë që brenda kampit të kenë njerëz të armatosur.
Ajo se çfarë ka ndikuar që këta persona të shkojnë drejt Sirisë, dominuese sipas Elezit është indoktrinimi e më pas mashtrimi.
Elezi: Fillimisht duhet të kemi parasysh që kemi të bëjmë me radikalizim. Ne e dimë që personat të cilët shkuan në Siri, në zonat të cilat ishin shpallur si shteti Islam, ato shkuan për bindje radikale. Disa ishin mashtruar sigurisht nga persona të tjerë të cilët iu kishin thënë se atje do të jetonin një jetë shumë të mirë, me rregulla, sipas Sheriatit.
Një ide që mund të përqafohet nga të gjithë ata që janë radikalizuar. Shqiptarët janë lajthitur një pjesë e tyre, një pjesë tjetër janë mashtruar duke iu ofruar edhe pagat. Shumica prej tyre që janë atje janë mashtruar, sepse vijnë nga familje me varfëri të thellë, apo që nuk kanë pasur punë apo të ardhura në vendet ku ata jetojnë.
Një rezervë ka për qeverinë shqiptare. Sipas tij, ky rast ishte një eksperiment. Bedri Abazi i bëri thirrje instancave të jenë më transparente me popullin, për të kuptuar nëse me të vërtetë ka qenë kaq e vështirë nxjerrja e këtyre fëmijëve, apo kemi të bëjmë me një koordinim të keq.
Elezi: Është mjaft interesant fakti se si institucionet hynë në atë kamp për vetëm 5 persona, por nuk arritën që numri i personave të jetë më i lartë. Arsyetimet që shteti ka bërë publike, për mua nuk janë bindëse. Organizimi mendoj ka qenë jo i mirëfilltë, edhe koordinimi në raport me familjarët të cilët kanë pasur komunikim me personat e tyre që kanë në kamp, më pas mendoj se autoritetet shqiptare më shumë kanë dashur që të eksperimentojnë mundësinë e marrjes së një pjese këtë radhë, në mënyrë që në të ardhmen të kenë një rrugë të hapur për t’i marrë të gjithë, pse jo edhe shqiptarët e Kosovës.
Ne kemi pasur informacion që do të ndodhë kthimi i të gjithë personave, sidomos i fëmijëve në kamp. Por kjo nuk ndodhi. Akoma autoritetet shqiptare nuk duan të jenë transparentë dhe në këtë pikë janë shumë gabim, për faktin se transparenca është çelësi i çdo suksesi. Numri i personave në kamp është ulur tashmë, për shkak se ka riatdhesime të shumta. Mund të jetë nën 50 mijë.
KOHA JONË SONDAZH

