Elmaz Sherifi: SPAK-u po indentifikohet si pjesë e qeverisjes
Prof. Dr. Elmaz Sherifi, thotë se shkaqet e humbjes elektorale të opozitës duhen kërkuar që nga 2014-ta, kur braktisi reformën territoriale, dorëzimin e mandateve të deputetëve dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhjet vendore të 2019-s. Në intervstën për gazetën “Telegraf”, shprehet se “Mandati i tretë do të konsolidojë fenomenet negative, të krimit e korrupsionit të mandatit të dytë”.
Intervista e plotë
Prof. Sherifi, çfarë do të thotë për shqiptarët dhe Shqipërinë mandati i tretë i kryeministrit Rama?
Rama i përgatiti kushtet e marrjes së mandatit të tretë, që në mandatin e parë e të dytë. Mendoj, se për arritjen e qëllimit të tij, një ndihmesë të madhe ka dhënë edhe opozita, e cila nuk mori pjesë që në 2014 në miratimin e ligjit për ndarjen administrative territoriale, në shkurt 2019 ua “dorëzoi” mandatet “listarëve”, të cilët e ndihmuan Ramën për ta ndryshuar Kushtetutën dhe legjislacionin zgjedhor, ashtu si e dëshironte Rama, e sidomos, ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, në qershorin e 2019 nuk mori pjesë as në zgjedhjet vendore, duke ia dorëzuar të 61 bashkitë mazhorancës dhe në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit opozita nuk konkurroi me një listë zgjedhore, çka ndikoi në humbjen e mandateve në disa qarqe e, për rrjedhojë, edhe mundësinë për t’i fituar zgjedhjet. Për fitoren e mandatit të tretë të Ramës, kontribuan edhe partitë e krijuara një muaj para zgjedhjeve nga “deputetë listarë”, të PD-së e LSI- së, duke i hequr rreth 35 mijë vota opozitës. Mandati i tretë do të konsolidojë fenomenet negative, të krimit e korrupsionit të mandatit të dytë dhe shqiptarët do të paguajnë edhe më shumë taksa, për të kompensuar financimet që bënë “aleatët” e kryeministrit për garantimin e mandatit të tretë.
Gjykata Kushtetuese dha vendimin për 30 qershorin 2019, duke thënë: “Për 30 qershorin 2019 është shprehur KQZ-ja”. Pra edhe Gjykata Kushtetuese, e quan vendim kushtetues që KQZ-ja hodhi poshtë dekretin e Presidentit të Republikës. Për ju, çfarë do të thotë një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese?
Unë nuk mund të jap një opinion të saktë, pa u njohur me vendimin e Gjykatës Kushtetutese. Por, me sa kuptova nga komentet e mediave televizive, Gjykata Kushtetutese nuk e legjitimoi subjektin politik, që kërkoi ta vinte në lëvizje. Gjykata Kushtetutese ka detyrimin të shprehet për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve vendore, si një kusht i vendosur edhe nga institucionet e BE-së. Mesa mbaj mend, kërkesë për kushtetuteshmërinë e atyre zgjedhjeve ka edhe nga subjekte të tjera të legjitimuara.
A mund të jetë indicie ky vendim, që edhe Gjykata Kushtetuese tashmë do të jetë, sikurse SPAK, në shërbim të politikave të kryeministrit Rama?
Mendoj se funksionimi i SPAK-ut dhe Gjykatës Kushtetutese do të jenë testi i efektivitetit të asaj që është konsideruar “Reforma në Drejtësi”. SPAK deri tani nuk të bind aspak. Fakte ka me shumicë, por fakti më bindës, është heshtja ndaj deklaratave të bëra në Konferencën e Shtypit, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe prokurori i Prokurorisë së Elbasanit, për vrasjen në Elbasan. Në konferencë u mohua se në mjetin pa targa kishte materiale kompromentuese. Në procesin gjyqesor, prokurori pohoi ato që mohoi publikisht. Heshtja e SPAK-ut ndaj kësaj ngjarje e identifikon atë si pjesë të administratës së Ramës.
Zoti Sherifi, megjithë denoncimet flagrante të manipulimit të votës nga vetë numëruesit, në bazë të pamjeve filmike, si edhe të tjera prova të pakundërshtueshme, asnjë institucion i prokurorisë nuk ka ushtruar ndjekje penale. Shikojmë që KAS, gjithashtu, mohon të pranojë këto prova të tjetërsimit të vullnetit të votuesve. Çfarë duhet të bëjë opozita?
Në 2009 kam qenë kritik ndaj Edi Ramës, sepse, në mbremje deklaroi se zgjedhjet parlamentare ishin të lira e demokratike. Në mëngjes kërkonte hapjen e kutive, kur asnjë komisioner nuk kishte vërejtje për procesin zgjedhor dhe i kishin firmosur vendimet e komisioneve zgjedhore. Ky fenomen ka ndodhur edhe në këto zgjedhje parlamentare. Por, ndryshe nga legjislacioni zgjedhor i atyre zgjedhjeve, tani ka dispozita që i legjitimojnë kërkesat e opozitës për drejtësinë e procesit zgjedhor. KAS i ka shfaqur prirjet e veta pro mazhorancës, që kur shfuqizonte edhe vendime të KQZ-së për dënime me gjoba të ulta subjekteve, që shkelnin legjislacionin zgjedhor. Opozita duhej që t’i kishte kundërshtar anëtarë të KAS-it, kur u emëruan, tani ka vetëm një rrugë. Të konsumojë të gjitha procedurat ligjore dhe, pas vendimeve përfundimtare të institucioneve zgjedhore, të përgatitet për të bërë opozitën në institucionet politike të shtetit.
Tashmë pas një ndërkohe, Kryeministri Rama do të kontrollojë edhe Presidencën e Shqipërisë, derisa ka shumicën në Parlament për të zgjedhur Presidentin e ri. Ku do të ndryshojë regjimi i kryeministrit Rama nga një regjim totalitar?
Rama i kontrollon të gjitha pushtetet e shtetit, veç Presidentit. Nisma për shkarkimin e Presidentit nuk është kushtetuese dhe ligjore, sepse, ky parlament e ka përfunduar mandatin që kur u shpallen zgjedhjet dhe shumica e anëtarëve të Komisionit Hetimor, nuk janë më deputetë. Komisioni ka karakter politik, prandaj do të “pëllcasë si flluskë”. Nxitimi për të ngritur komisionin hetimor me ish-a, është pasqyrimi më bindës i amoralitetit politik dhe shfaqja më basdarde e mentalitetit autokratik të qeverisjes.
Ju, Prof. Sherifi, si e shpjegoni që shtetet demokratike, jo ambasadorët e tyre, tolerojnë kaq shumë një regjim kaq autokrat, sa i kryeministrit Rama, dhe nuk flasin për vjedhjen e manipulimin e votës, mosndëshkimin e korrupsionit, pranojnë një regjim që bashkëpunon kaq hapur me botën e krimit në pastrimin e parave, sa të thonë se duhet të hapen negociata e të pranohet në Bashkimin Europian?
Përshëndetjet e disa presidentëve dhe kryeministrave të disa shteteve është njohje e rezultatit zgjedhor kur, akoma OSBE-ODIHR nuk kanë bërë raportin përfundimtar. Kjo tregon se interesi i tyre për Shqipërinë dhe zhvillimet demokratike të saj, nuk është ai që ne pretendojmë. Shqiptarët tashmë kanë parë se si janë tërhequr me “bisht në shalë” edhe ambasadorë të vendeve të mëdha, por që procesi zgjedhor i tyre para pak muajsh, ngjason si dy pika uji, me proceset tona. Mendoj se të ardhmen tonë demokratike, nuk duhet ta presim edhe pas 30 vjetësh nga faktorë të jashtëm, por duhet të braktisim “botën e ideve” e të përqafojmë “real politikën”. Në të drejtën penale trajtohet instituti i “mbrojtjes së nevojshme”. Kjo është harruar nga opozita, dhe pasi i “dhurohen” Edi Ramës të gjitha pushtetet, kërkohet prej tij “drejtësia e kulluar”! Në këtë kuptim pritet të shohim se si do të vendosin vende të rëndësishme të BE-së për Konferencën Ndërqeveritare. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, parlamenti i së cilës vuri dhjetra kushte, deklaroi, se Konferenca Ndërqeveritare duhet caktuar, dhe Shqipëria, nuk duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut.
Si e gjykoni mefshtësinë e PD-së, që mjaftohet vetëm me denoncime kundër SPAK dhe KAS, ndaj mospranimit të provave për manipulim të votës dhe nuk fton popullin në protestë?
Zhvillimet në Partinë Demokratike kërkojnë një analizë shumë të thellë, pasi ajo është partia kryesore opozitare. Sepse në emër të saj flasin dhjetra parti, që u krijuan me nxitim për ta dëmtuar dhe janë të paduruar me kërkesen e tyre për dorëheqjen e kryetarit, kur janë paraqitur dosje të tëra që kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve. Duket sikur në “frontin opozitar” ka një strategji për ta fuqizuar Ramën. Kjo u vërtetua me pjesëmarrjen e ‘Bindjes Demokratike’ në zgjedhjet vendore më 2019, kur ende Gjykata nuk kishte vendosur të ishte subjekt politik elektoral, u vërtetua edhe me futjen e “deputetëve listarë” në listën e deputetëve të”rilindjes”, në zgjedhjet parlamentare. Këtë ide e përforcon edhe ngutja e grupimit ” Për Partinë Demokratike” që kërkon dorëheqjen e kryetarit të PD-së, si legjitimim i procesit zgjedhor. PD i provoi protestat dhe doli e konsumuar moralisht te mbështetësit stoik, edhe fizikisht. Unë do të mendoja se, pasi të jepet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, jeta politike duhet të zhvillohet brenda institucioneve, duke mos hequr dorë edhe nga format e tjera të protestave demokratike. Veprimi i parë politik i saj, duhet fokusuar te vendosja e ekuilibrit demokratik në vetë qeverisjen vendore, para përfundimit të mandatit të saj. Krahas veprimit politik vëmendja duhet shtrirë në eleminimin e fenomeneve që deformuan procesin zgjedhor dhe ndryshimin e legjislacionit zgjedhor, që të votohet elektronikisht në të gjithë Shqipërinë, pasi komisionet zgjedhore nuk janë të paanëshme.
Prof. Sherifi, Kryeministri Rama i dha vendimet e para si qeverisës me mandatin e tretë: Rritet çmimi i naftës, ndërkohë që në çdo vend të botës, ulet. Do fillojë prishjen e ndërtimeve pa leje, ndërkohë që Banka Botërore dhe INSTAT pohuan se, gjatë 2020 u shtuan në Shqipëri edhe 125 mijë të varfër. Është vrarë shpresa se Shqipëria do të bëhet?
Se çfarë do të ndodhte pas përfundimit të zgjedhjeve, është parashikuar me kohë. Asgjë nuk do të jetë befasuese dhe e papritur. Partitë politike e sidomos ato opozitare, duhet të gjejnë një formulë të re politike për t’u hapur ndaj burimeve progresiste njerëzore, e t’i japin fund edhe skemës së vjetër, ku kryetarët e përhershëm të partive, për t’u bërë deputet, futen te lista e PD-së dhe pretendojnë legjitimitetin e anëtarësisë. Njëkohësht duhet të pranojmë se, shqiptarët nuk i kanë për zemër “krijesat e reja politike”, sepse edhe ato nuk janë të “virgjëra”, pavarësisht se e pretendojnë atë status. Partitë që pretendonin autorësinë e të Djathtës tradicionale, e provuan fuqinë politike të pretenduar dhe zgjedhësit i “nxorën në pension”, pa plotësuar “vitet e tyre të kontributeve”. Edhe “Nisma Thurje” u kompromentua pa u “nisur”, sepse iu bashkangjit Shoqatës jo Qeveritare ‘Thurrje’ dhe pranoi të kandidonte në listën e vetë, ish -deputeten e PD-së, që u bë pjesë e “deputetëve listarë”, e përfundoi te “thurrja”. Çfarë risie sollën “Partitë e Reja” ? Kur kryetarët u vetëshpallën, pa u bërë kongrese, që të zgjidheshin sipas statuteve! Apo pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet vendore, pa u legjitimuar me vendim gjykate, deformim që u pasqyrua edhe në Raportin e OSBE-ODIHR-it! Partitë politike nuk janë instrumente si i konsideron Rama, por subjekte politike kushtetuese, që kanë mision rritjen e besimit të popullit, te sistemi politik demokratik.