Emigrantët ikin pas festave, Jole: Fluks normal në Kapshticë dhe Qafë Thanë
Emigrantët që kaluan festat e fundvitit në atdhe kanë nisur të kthehen në vendet ku punojnë. Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha sot për ATSH-në se “në dy pikat e kalimit kufitar të këtij qarku, atë të Qafë Thanës dhe të Kapshticës po punohet për të pasur një fluks normal të personave që kapërcejnë kufirin në të dyja drejtimet”.
“Gjatë 24 orëve të fundit sipas të dhënave nga Drejtoria Vendore e Kufirit e Migracionit Korçë nga ora 00:01 deri në 15:55 kanë hyrë dhe kanë dalë 6614 shtetas dhe 2233 mjete. Kryesisht është punuar me 3 sportele në dalje për mjete dhe 2 për autobusë dhe 2 sportele në hyrje”, tha Jole.
Sipas tij, në Pikën e Kalimit kufitar të Qafë Thanës fluksi ka qenë normal dhe është punuar me 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje.
“Gjatë ditës së sotme, deri në orën 15:50 kanë hyrë dhe kanë dalë 4198 shtetas dhe 1614 mjete, nga të cilat në hyrje të Shqipërisë janë 1964 shtetas dhe 802 mjete dhe në dalje nga Shqipëria janë 2234 shtetas dhe 807 mjete”, tha Jole. Pritet që edhe në ditët në vazhdim të ketë fluks udhëtarësh në këto pika kufitare.