Emigrantët po ‘trokasin’, Tahiri: S’jemi imunë, kemi forcuar kufirin

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka raportuar sot në komisionin parlamentar të Sigurisë në lidhje me refugjatët, duke thënë se “jemi të përgatitur për çdo lloj emergjence”.

“Jemi në bisedime me partnerët për plane të përbashkëta të përballimit të emergjencës. Shqetësim ka qenë evitimi i rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore. Jemi të vendosur që të mos lëmë asnjë mundësi që rrjetet kriminale të përdorin vendin tonë për trafikimin e qenieve njerëzore dhe për këtë duhet bashkëpunimi me partnerët”, tha Tahiri.

Ministri shtoi se ka “garanci nga BE-ja se nuk do të jemi vetëm në këtë sfidë”.

“Nuk do të mbajmë mbi shpatulla një barrë që nuk e mbajmë dot. Nuk kemi sinjale për situatë emergjente, por përsa kohë refugjatët i kemi afër kufirit, jemi gati. Nuk do të jemi vonë në një krizë që nuk të lejon të jesh me vonesë. Po përgatitemi dhe po mësojmë nga eksperienca e të tjerëve”, shpjegoi Tahiri.

SHKARKO APP