Emigrantët shqiptarë në Britani, ministri i imigracionit gjen zgjidhjen: Nuk do ikin, por…
Si kurrë më parë, në Londër të shtunën e 12 nëntorit u mbajt një protestë nga komuniteti shqiptar, që dënonin gjuhën dhe racizmin nga sekretarja e Brendshme.
Robert Jenrick, ministri i imigracionit në Britaninë e Madhe nuk është drastik sa sekretarja e Brendshme, në lidhje me emigratët. Zgjidhja që ai propozon, është që qyteteve të vogla dhe fshatrave mund t’u kërkohet të strehojnë më shumë emigrantë.
Greg Smith, deputet për Buckingham, tha se kishte mësuar se një emigrant shqiptar ishte strehuar në një hotel, kur në fakt ishte nën hetim për një shkelje shumë të rëndë. Ai tha se shqiptari ishte arratisur nga hoteli dhe se e gjithë situata është përgjegjësi e zyrës së emigracionit. Nga ana tjetër, deputeti i Kettering, Philip Hollobone, pohoi se pas valës së krimit në zonën e tij elektorale qëndronin emigrantët shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar së fundmi politikanët britanikë për nxitjen e racizmit antishqiptar, duke bërë pretendime të pabaza. Ai thotë se nuk e pranon që shtetasit shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe të konsiderohen si “njerëz të dorës së dytë”, duke iu referuar deklaratave diskriminuese të sekretares Suella Braverman për emigrantët shqiptarë.