Emigrantët shqiptarë pa pensione në Itali: Duhet të njiheshin para patentave, të detyruar të punojmë ende

Shqiptarët në Itali janë të privuar nga pensioni si në vendin e lindjes dhe në atë ku jetojnë. Që prej vitit 2013, negociatat kanë mbetur pezull dhe Tirana zyrtare edhe pse ka premtuar nje marrëveshje me fqinjet ende nuk e ka arritur ate ne 8 vite.

RTV Ora ka biseduar me një grup emigrantësh shqiptarë me banim në Asti në Itali, që prej disa kohësh kërkojnë në rrugë institucionale që t’ju njihet e drejta e tyre për marrjen e pensionit në Itali.

Janë katër emigrantë shqiptarë në Itali në moshë pensioni, që rrëfejnë historinë e tyre e apelojnë autoritetet e dy vendeve që t’ju njihen vitet e punës si në Shqipëri e në Itali.

Apeli i tyre bashkohet me kërkesën e mijëra emigrantëve shqiptarë të brezit të parë që pas shumë vitesh punë në Shqipëri e më pas në Itali, sot nuk kanë të drejtën e marrjes së pensionit dhe pse kanë mbushur moshën dhe vitet e punës.

Njohja e kësaj të drejtë arrihet vetëm falë një marrëveshje mes qeverive të dy vendeve Itali e Shqipërisë.

Prej vitit 2013 megjithëse janë zhvilluar disa takime institucionale e është nënshkruar një peticion me mbi 10 mijë firma nga emigrantë shqiptarë, ende nuk ka një dakortësim të këtij problemi.

Shumica e emigrantëve shqiptarë të brezit të parë të emigruar në Itali janë tashmë në moshë pensioni. Mungesa e kësaj të drejte i bën ata një shtresë vulnerable ekonomikisht duke iu mohuar e drejta e një pensioni dinjitoz në bazë dhe të viteve të punës që ata kanë kryer si në Shqipëri dhe më pas në Itali.

Gjovalin Shyti 70 vjeç, emigrant prej vitit 1997 në Itali, me 27 vite punë në Shqipëri e 23 vite punë me dokumente të rregullta në Itali.

Nuk ka njihet e drejta e njohjes së viteve të punës që të dalim në pension, Përmes shoqatave të ndryshme shqiptare kemi kërkuar vazhdimisht të arrihet një marrëveshje mes Itali e Shqipërisë por deri më sot kemi marrë vetëm fjalë e nuk është bërë asgjë, Jemi të shqetësuar shumë. Nëse do të ishte bërë kjo marrëveshje sot do të isha në pension prej 4 vitesh. Po ashtu dhe bashkëshortja ime ka 40 vite punë të rregullt mes Shqipërisë e Itali, por fati ynë i keq nuk na njohen e sot detyrohemi ende të punojmë në këtë moshë e në kundërshtim me ligjet e Kushtetutës italiane e të drejta e njeriut.

Dhionis Xhumari 65 vjeç, emigrant në Itali prej vitit 1991, 30 vite punë e rregullt me kontribute të derdhura për shtetin italian e mbi 19 vite punë e rregullt në Shqipëri.

“I bëj apel qeverive të dy vendeve Itali e Shqipëri të arrijnë këtë marrëveshje e të na mbrojnë se ne jemi qytetarë të dy vendeve e duhet të kemi të njëjta të drejta si çdo qytetar tjetër. Ky problem na përket jo vetëm ne emigrantëve shqiptarë në Itali por dhe shtetasve italianë që punojnë në Shqipëri e që janë rreth 20 mijë. Të drejta tona na janë mohuar. Kam gati 50 vite pune në të dy vendet Itali e Shqipëri e sot duhet të kisha të drejtën që të dilja në pension.”

Një nga motivet që nuk arrihet kjo marrëveshje, thuhet se është kosto e madhe ekonomike që ajo ka. Është e vërtetë?

Nuk është e vërtetë pasi sipas llogaritjeve të bëra nga ekspertë të ekonomisë, për emigrantët shqiptarë në moshë pensioni në Itali duhet rreth 25 milionë euro, që është një grimcë mjaft e vogël në buxhetin italian. Ne jemi kontribuues të rregullt të sigurimeve shoqërore në Itali e kemi të drejtën e këtij pensioni. Edhe pse kemi dërguar shumë letra tek institucionet italiane e ato shqiptare, deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Italia ka bërë marrëveshje të tilla me disa vende të Ballkanit por nuk e ka bërë me Shqipërinë.

Jolanda Veshtja Shabani, 63 vjeç, emigrante në Itali prej vitit 1997, 20 vite punë në Shqipëri, e 15 vite punë e rregullt në Itali.

“Punoj si kuzhiniere në një restorant në Asti. Pas shumë vite pune me kontribute të derdhura në shtetin italian kërkojmë të na njihet e drejta jonë. Nuk ka pse shteti italian të ketë humbje financiare nga kjo që kërkojmë, ne kemi punuar rregullisht në Itali, kemi dhënë kontributin tonë siç e kërkojnë sigurimet shoqërore italiane e duam që kur të arrijmë në moshë pensioni ta kemi këtë të drejtë si çdo qytetar tjetër në Itali. Një marrëveshje të tillë Italia e ka kryer me shumë vende të tjera pse mos ta bëj dhe me Shqipërinë.”

Cilat janë pengesat e arritjes së kësaj marrëveshje?

Mendoj se kjo marrëveshje nuk po arrihet pasi të dy palët si qeveria shqiptare dhe ajo italiane kanë pretendimet e tyre. Dhe pse për këtë çështje bisedimet kanë nisur që më vitin 2013, deri më sot nuk kemi parë asnjë dokument se pse e çfarë ka penguar arritjen e kësaj marrëveshje. Sa herë që kërkojmë shpjegim duket sikur topi pasohet nga një qeveri në tjetër duke na thënë se nuk varet nga ata. Mendoj se kjo marrëveshje është në interes si për emigrantët shqiptarë dhe për emigrantët italianë kudo që ata ndodhen, pasi nëse jetojnë në një vend si Shqipëri ku mungon kjo marrëveshje, atëherë dhe ata janë të penalizuar siç jemi ne sot.

Për italianët e Shqipërisë, për ata me njërin nga prindërit italian, të mbetur në territorin shqiptar pas mbylljes së Shqipërisë e vendosjes së regjimit të diktaturës, shteti italian e arriti shumë shpejt këtë marrëveshje e u siguroj pension të gjithë italianëve të Shqipërisë që u riatdhesuan pas ’90. Atëherë pse të mos arrihet një marrëveshje e tillë dhe për emigrantët shqiptarë që prej 30 vitesh jetojnë në Itali?

Emigrantët shqiptarë në Itali janë organizuar në një grupim të quajtur “Diaspora 91-19” për të njohur të drejtën e tyre të pensioneve.

Ata i kanë dërguar një letër Kryeministrit italian Mario Draghi, Ministrit të jashtëm Luigi Di Maio, Ministrit të Punës dhe Politikave Sociale Andrea Orlando, Ministrit të Ekonomisë dhe Financave

Daniele Franco e të gjithë autoriteteve të tjera kompetente në Shqipëri e Itali, ku kërkojnë të mos u injorohen vitet e punës në Shqipëri, të mos penalizohen nga ana sociale e shëndetësore duke i detyruar të punojnë dhe një moshë që nuk e lejon kushtetuta e duke iu rrezikuar shëndeti. /Ora News

SHKARKO APP