Emin Barçi: Berisha fton Zenelin në Kinë. PS ftohet në Pekin të përçahet në Tiranë
(Botuar me 7 Janar 1996 në KOHA JONE)
Nga Emin Barçi-
Presidenti Berisha kërkon të hapë portat e Pekinit me çelësin që dy vjet më parë krijoi Fatos Nano. Në delegacionin e Presidentit drejt Kinës do të shkojë edhe deputeti socialist Bashkim Zeneli. “Malëshovisti”, siç është quajtur Zeneli së bashku me të shkarkuarin e komitetit drejtues të PS, do të shkojë në Kinë për herë të dytë pas tre vjetësh. Në janarin e 93 ishte Fatos Nano që e mori me vete në Pekin për të aftësuar sa më shumë shefin e marrëdhënieve me jashtë të PS. Por pas 3 vjetësh, përvojën kineze të Zenelit po e përdor vetë Presidenti Berisha. Nuk dihet nëse qenia e një socialisti në delegacion, do të ndikojë në faljen e borxhit prej 35 milionë dollarësh që Qeveria Shqiptare i ka shtetit kinez. Gjithsesi, është e sigurt se Berisha nuk po e merr Zenelin në Pekin për ta vënë në bankën e të akuzuarve në Sheshin “Tien An Men” për borxhet që kanë marrë atje qeveritë shqiptare. Vetë Zeneli për përfshirjen e tij në delegacionin e Berishës thotë: “Nuk paragjykoj as vizitën e Presidentit në Kinë dhe as përfshirjen time në delegacion. Unë shkoj si deputet i PS”. Por nënkryetari i PS, Servet Pëllumbi, deklaroi mbrëmë për “KJ” se: “Zeneli nuk ka mandatin e PS për të vizituar Kinën. Listat e delegacionit i ka bërë vetë Presidenti Berisha”. Në fillim të nëntorit, Bashkim Zeneli së bashku me Maqo Lakrorin, Fatmir Kumbaron, Xhevat Lloshin dhe Luan Shahollarin humbën votëbesimin e komitetit drejtues të PS për të qenë në kryesinë e partisë së tyre. Si shkak për heqjen e Zenelit u përfol shpesh një takim i fshehtë që ky i fundit kishte bërë me Presidentin Berisha. Këtë herë Berisha ka vendosur ta takojë Zenelin legalisht pranë lumit Jance pa pasur frikë nga përgjuesit e shërbimit sekret të PS. Ai ishte goditur edhe në fillim të 94 nga partia e tij tek u zëvendësua në detyrën e shefit të marrëdhënieve me jashtë nga nënkryetari i sotëm socialist Ilir Meta. Thirrja e tij në delegacionin presidencial është një tentativë e hapur e Berishës për t’u dhënë zemër të “pestëve” dhe për të ndarë PS. Berisha filloi tentativat për përçarjen e PS duke shfrytëzuar urrejtjen e brezit të ri të socialistëve ndaj Marksit. Por pasi Nano garantoi se në partinë e tij ka vend si për marksistët dhe për antimarksistët, mjekra e Marksit i lidhi më mirë brezat e PS. Megjithatë, Berishës i erdhi si dhuratë nga qielli shkarkimi i të “pestëve”. Për Presidentin “të pestët” ishin zemra e reformatorëve të PS që u goditën nga klani konservator, paçka se për gazetën e partisë së tij “RD” deri në kohën e votimit për shkarkim ata ishin më komunistë se komunistët e më konservator se konservatorët, aq sa Zeneli në çdo numër gazete quhej “Zejneli”. Berisha filloi t’i anonçojë ata si të majtët e vërtetë shqiptarë, ndërsa sekretari i PD Tritan Shehu urimin për socialistët me rastin e Vitit të Ri e formuloi: “ Reformatorët të marrin PS”. Ka mundësi që Berisha gjatë udhëtimit shumë orësh drejt Pekinit t’i ofrojë Zenelit dhe “malëshovistëve” të PS një përkrahje totale nga ana e tij dhe e shtetit, nëse këta të fundit krijojnë një parti të re të majtë dhe tërheqin me vete gjithë antimarksistët e PS. Një tentativë e tillë për kompromis është bërë dhe javët e para të Dhjetorit me një tjetër anëtar të “të pestëve”, por oferta e pushtetit është refuzuar. Gjithsesi gjithçka mund të ndodhë. Në Pekin mund të ndodhin “kinezërira” shqiptare. Sidoqoftë nga Pekini mund të kthehet I fituar Berisha, por ndoshta edhe Zeneli.