Emin Barçi: Pse nuk pranohet Shqipëria në Evropë
(Botuar me 8 Prill 1995 në KOHA JONE)
Nga Emin Barçi-
Në interpelancën e para dy ditësh të Ministrit të Punëve të Jashtëm Serreqi, hyrja e vendit tonë në Konferencën Islamike konsiderohet si gjë krejt normale dhe sukses për politikën e jashtme shqiptare e për aspiratat e popullit tonë. Sipas tij, aderimi në këtë organizatë nuk është kurrfarë pengese për futjen e Shqipërisë në organizmat dhe organizatat evropiane. Por shefi ynë i diplomacisë rreket kur thotë se nuk ka asnjë qëndrim zyrtar kundër aderimit të Shqipërisë në organizatën islamike, duke mos kursyer kështu dhe sulmet për ambasadorin e tij në Paris. Në një shtet normal demokratik, së paku Ministri i Jashtëm duhet të sqaronte se pse ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti aderimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike, ndërkohë që në çdo seancë plenare ratifikohen marrëveshje ndërkombëtare që nga SHBA e deri në Xhibuti dhe kur aderimi në Konferencën Islamike është bërë arbitrarisht nga Berisha tre vite më parë. Mosratifikimi i një aderimi të tillë ende nga Parlamenti, tregon se shqiptarët nuk e dëshirojnë veten të inkluduar në islam. Fakt është që politika antifetare e kohës së diktaturës, ndikoi që shumica e shqiptarëve të orientohet drejt ateizmit. Gjithashtu historia e popullit tonë tregon se islamizmi është mbjellë me shpatë gjatë pushtimit 500-vjeçar turk. Shumë shqiptarë mendojnë se një nga shkaqet kryesore të prapambetjes sonë në krahasim me vendet e tjera të Rajonit dhe Kontinentit, është pikërisht thundra islamike turke 5 shekullore, gjë që nuk është zbutur as nga ëmbëlsia e çokollatave Hilal “Made in Turkey” ashtu si dhe shpirti i shqiptarit është pastruar nga çfarëdo mjeti përveç sapunit Duru. Edhe sot në marrëdhëniet ndërkombëtare, një nga shqetësimet kryesore të vendeve të zhvilluara evropiane e veçanërisht i Francës është lufta ndaj fundamentalizmit islamik. Janë me qindra evropianët e vrarë si në vendet islamike edhe në Evropë nga organizatat e tyre, thjesht se kanë shprehur publikisht objeksione mbi islamin. Inicimi për të hyrë në organizatën islamike është bërë që në kohën e Byrosë Politike të Ramiz Alisë dhe Berishës nuk i ngeli asgjë përveç firmosjes së letrave. Kjo organizatë, si në planin ndërkombëtar të politikës gjithëkombëtare shqiptare ashtu dhe në ndikimin ekonomik të vendit tonë, ka qenë dhe është krejtësisht nën hije. Pra, aderimi në këtë organizatë nuk i ka sjellë vendit tonë asnjë dobi konkrete. Në planin diplomatik ndërkombëtar, kjo organizatë e provoi “forcën”e saj me rastin e konfliktit në Bosnje. Thuajse asgjë nuk është iniciuar nga konferenca islamike lidhur me problemin e Kosovës dhe të shqiptarëve të shpërndarë nëpër Ballkan. Edhe lidhur me pozicionin e Shqipërisë si një vend midis katolicizmit italian dhe ortodoksizmit greko-serb, nuk kemi asnjë fllad shprese e jo më mbështetje nga kjo organizatë. Në planin e brendshëm ekonomik, ndihmat dhe kreditë nga vendet islamike janë në shifra qesharake krahasuar me ato të Evropës dhe SHBA. Si ndihmat dhe volumi i shkëmbimeve tregtare me vendet islamike nuk e kalojnë shifrën 0.1 për qind të totalit. Praktika e deritanishme ka treguar se investimet nga vendet e konferencës islamike janë kushtëzuar me çeljen e objekteve të kultit. I tillë është rasti i firmës egjiptiane Kato Aromatik, që ka tre vjet duke zvarritur punimet, duke vënë në plan të parë ndërtimin e një xhamie. Po tre vjet ka edhe firma kuvajtiane Max-Albania e cila ende nuk po përvijon dot hotelin e saj me pesë yje në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, ndërkohë që firmat evropiano-perëndimore kanë filluar investimet shumë më pas dhe i kanë përfunduar ato, duke i dhënë ekonomisë shqiptare të ardhura dhe duke punësuar të papunët tanë. Megjithëse nuk është shprehur haptazi nga ana e Evropës, një nga shkaqet kryesore që Shqipëria nuk pranohet në Këshillin e Evropës është moslargimi i saj nga konferenca islamike. Këtë gjë shteti i sotëm e di shumë mirë, por e mban sekret siç mbajti deri tani rezultatet e sondazhit mbi zgjedhjet politike. Fakti që ne nuk pranohemi në Evropë është konfirmimi më i saktë mbi qenien tonë në konferencën islamike.
Emin Barçi