Emin Barçi: Strasburgu është në dijeni për Brozin

(Botuar me 4 Tetor 1995 në KOHA JONE)

Nga Emin Barçi-

“Të gjitha strukturat e Këshillit të Evropës, duke filluar që nga kryetari Martinez kishin dijeni të plotë mbi atë çka ka ndodhur në Shqipëri këto muajt e fundit me Gjykatat, që nga rrethimi e deri tek eliminimi i Brozit”, thotë pas kthimit nga Strasburgu anëtari i delegacionit shqiptar në Asamblenë e KE, deputeti socialist Ethem Ruka. Problemi i parë që është diskutuar në sesionin e hapjes së Asamblesë së Këshillit të Evropës ka qenë ai i delegacionit shqiptar. Siç dihet në përbërje të delegacionit duhet të shkonte dhe një deputet i PSD, por zoti Pulaha e refuzoi këtë gjë. Emri i Ruzhdi Pulahës si anëtar i delegacionit të përhershëm të Shqipërisë në KE është caktuar arbitrarisht nga Pjetër Arbnori dhe PD. “Pas urimit të z.Martinez për anëtarët e rinj të Asamblesë, kryetari i grupit socialist Shider protestoi dhe nënvizoi parregullsitë e delegacionit shqiptar. Zoti Arbnori u shfajësua duke thënë se ka qenë PSD ajo që nuk ka sjellë në kohën e duhur kandidaturën e vet”,  tregon Ruka. Deputeti socialist  ka informuar homologët e tij evropianë mbi gjendjet dhe raportet e opozitës dhe pozitës në Shqipëri. “Bëra një ekspoze dhe një kronologji të ngjarjeve që kanë ndodhur këto 3 muaj në mbledhjen e grupit socialist të Këshillit të Evropës. Ngrita atë çështje që kërkon Këshilli i Evropës lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në vendet anëtare”, thotë ai. Pas ekspozesë së Rukës mësohet të kenë treguar interes për hollësi të situatës në vend zoti Shider kryetar i grupit socialist në KE, Gusten Vauer nënkryetar i Internacionales Socialiste dhe plot deputetë të tjerë socialistë të Evropës Perëndimore dhe Lindore. Data zyrtare e raportimit të Shqipërisë në Strasburg ka qenë 20 Gusht. Por ende nuk ka asnjë informacion që qeveria jonë të ketë raportuar realizimin e detyrave të vëna nga KE.  Këtë gjë e konfirmon edhe Ruka duke thënë: “Në Asamble nuk pati ndonjë forum që të thërriste delegacionin dhe të ballafaqonte kërkesat që ai kishte vënë ndaj Shqipërisë me afatet. Ndoshta është thirrur vetëm Arbnori me Spahinë, por unë nuk kam dijeni”. Por ishte parashikuar që këtë mbledhje të Asamblesë në komisionin juridik z.Kolumberg të bënte një raport mbi gjendjen aktuale në Shqipëri. “Në këtë raport kishte materiale nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, SHIK-u etj. lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut”, thotë Ruka duke mos pranuar të publikojë përmbajtjen e këtij raporti, megjithëse e ka pasur në dorë. “Për mungesë kohe ky raport u la të diskutohej në mbledhjen më të afërt të komisionit”, sqaron Ruka. Anëtarët e delegacionit tonë, në këtë mbledhje u bënë dhe anëtarë me të drejtë vote të komisioneve të Asamblesë. Për t’u theksuar është se Ali Spahia është vetëcaktuar në komisionin politik, ndërsa Pjetër Arbnori në komisionin juridik dhe të të drejtave të njeriut, dy komisionet të cilat nxorën shumë pengesa për pranimin e Shqipërisë në KE./Emin Barçi/

SHKARKO APP