Emrat anëtarëve të “grupit të zjarrit” në Lazarat. Arrestohet një

 

Forcat speciale të RENEA-s kanë nisur pasditen e së mërkurës mësymjen në fshatin Lazarat, për të kapur autorët e sulmit ndaj uniformave blu dhe kanë arritur të kapin personin e parë nga 21 të shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për shtetasin Sinan Rabaj.

Gjithashtu, një tjetër prej të kërkuarve ishte vetëdorëzuar më parë në stacionin më të afërt policor. Ai është 21-vjeçari Elgent Basha.

Policia e Shtetit ka angazhuar më shumë se 400 forca të RENEA-s, FNSH dhe policisë lokale, në operacionin për kapjen e personave që qëlluan me armë mbi efektivët e RENEA-s paraditen e sotme.

 

Janë identifikuar 21 shtetas, si të dyshuar për sulmin dhe që aktualisht lëvizin të armatosur në brendësi të fshatit Lazarat.

Shtetasin e shpallur në kërkim, sipas policisë janë:

1.   Arbion Aliko, 20 vjeç

2.   Alban Aliko, 18 vjeç

3.   Bervin Basho., 22 vjeç

4.   Edmond Boci, 48 vjeç

5.   Zhaklin Derxho, 18 vjeç

6.   Xhuljano Nuri, 22 vjeç

7.   Gurim Skënderi, 29 vjeç

8.   Xhemal Gjini, 18 vjeç

9.   Fatmir Gërveshi, 20 vjeç

10.                     G.B., 17 vjeç

11.                     Jeton Kalemi, 21 vjeç

12.                     Rustem Mahmutaj, 20 vjeç

13.                     Albon Meçi, 20 vjeç

14.                     Denis Mahmutaj, 19 vjeç

15.                     Xhemil Gjolleshi, 20 vjeç

16.                     Sinan Rabaj, 30 vjeç

17.                     Eligent Basha, 21 vjeç

18.                     Albi Mahmuti

19.                     Sevo Shurdhi

20.                     Endush Aliko

21.                     Ani Hiri.

Policia e Shtetit ju bën thirrje këtyre shtetasve të dorëzohen pranë organeve ligjvënëse. Një thirrje u drejtohet edhe banorëve  si dhe drejtuesve të pushtetit vendor në Lazarat, për të bashkëpunuar me forcat e policisë.

Policia e Shtetit apelon se është e vendosur për zbatimin me rreptësi të ligjit, deri në kapjen apo asgjesimin e grupit të armatosur, nëse i rezistojnë operacionit të policisë duke u kundërpërgjigjur me armë. 

Policia e Shtetit ka lokalizuar vendndodhjen e grupit të armatosur, që besohet se është përgjegjës për zjarrin e hapur në drejtim të forcave RENEA në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë. Sipas policisë, grupi i armatosur ndodhet në vendin e quajtur “ish-Pularia”.  Zona është e rrethuar nga forca të shumta të policisë vendore, forca të FNSH, ato RENEA, ndërkohë që është thirrur nga ajri ndihma e dy helikopterëve të ushtrisë.

 

Gjendja në Lazarat vazhdon të jetë e tensionuar. Herë pas herë në fshat ka të shtëna me armë nga grupi i armatosur, që policia dyshon se përbëhet nga rreth 15 veta. Në Gjirokastër ka mbërritur edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe krerët me të lartë të policisë së shtetit. Lapsi.al sjell disa foto nga arrestimi që policia i bëri shtetasit Xhuliano Matos, të cilit iu sekuestrua një arsenal i tërë armësh dhe disa gramë kokainë. Pritet që policia të nisë operacionin për kapjen e personave që qëllojnë me armë dhe atyre që vranë efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha dhe plagosën dy të tjerë. 

Policia thotë se ka gati një plan operacional për arrestimin dhe neutralizimin e grupit të armatosur. Më herët uniformat blu gjetën një mjet tip Benz të bardhë. Brenda tij janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë, një automatik kallashnikov, një granatë, një kuti me fishekë, një këmbë mitralozi, një qese farmaceutike me lëndë narkotike, e lloji heroinë.

Ndërkaq është arrestuar drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet XH.M. Policia mban të bllokuara të gjitha hyrjet në fshat dhe po ushtron kontrolle të imtësishme të automjeteve. Uniformat blu kanë një listë me persona, disa prej të cilëve janë shoqëruar, por nuk ka asnjë të dhënë zyrtare nëse mes të shoqëruarve është ndonjë person i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit. 

Tahiri: Këta janë terroristë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka thënë nga Gjirokastra se autorët e vrasjes së efektivit Ibrahim Basha në Lazarat, do marrin ndëshkimin e merituar.

Ai ka ngushëlluar familjarët e punonjësit të vrarë, duke thënë se shteti do iu përgjigjet terroristëve që kanë kryer këtë akt.

“Autorët e aktit terrorist do të marrin përgjigjen e merituar.

Ligji do të godasë me forcë të gjithë autorët.

Politika në Gjirokastër dhe Tiranë të dënojë aktin dhe të mos përdorë një gjuhë me dy kuptime për ngjarjen.

Gjej rastin të ngushëlloj familjarët e efektivit të vrarë dhe të uroj shërim sa më shpejtë të dy efektivëve të plagosur”, ka thënë Tahiri nga Gjirokastra.

Reagimi Kryeministrit: Ditë zie

Besohet se grupi i zjarrit përbëhet nga 10-15 persona.Kryeministri Edi Rama ka folur sot lidhur me ngjarjen e Lazaratit ku u vra një fektive i RENEA dhe u plagosën dy të tjerë. Rama tha se sot është një ditë zie për vendin. “Është një ditë zie për gjithë Policinë e Shtetit. Për të gjithë punonjësit, familjen e policisë së shtetit, por besoj që çdo shqiptarë, çdo familje që vlerëson ndershmërinë, kurajën dhe shërbimin e Policisë së Shtetit dhe këtyre djemve sot ka zi”,- tha Rama.

Kryeministri ka komentuar dhe reagimin e PD për ngjarjen, duke u shprehur se është i papranueshëm. “Ndërkohë që duke i shprehur ngushëllimet më vëllazërore familjes së atij që nuk arriti dot t’i mbijetonte kësaj barbarie dhe duke shprehur në të njëjtën kohë edhe sigurinë e mjekëve që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën, dua që të nënvizojë se duhet të ndjehen vërtetë keq ata që për faqen e tyre e zezë edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish flasin me dy kuptime dhe i kërkojnë llogari policisë dhe duke e fajësuar në mënyrë jo aq indirekte”,- tha Rama. 

Njoftimi i Policisë: Ja çfarë ndodhi në Lazarat

Policia e Gjirokastër ka dhënë detajet e fundit lidhur me operacionin në Lazarat. Në jë njoftim për mediat, Policia paraqet gjithë skemën sesi ka ndodhur sulmi ndaj efektivëve të Policisë. Në dt. 24.06.2015 ora 02:30 në fshatin Lazarat forcat e FNSH të cilat ishin të planizuara me shërbin në vendin e quajtur “Kazinoja” mbi  ish Pularinë tek kryqëzimi që të çon në lagjen Lenxatë, si dhe të grupit që ishte me shërbim te kryqëzimi i përroit të Kordhocës janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qëndrës së fshatit Lazarat nga persona të pa identifikuar. Po kështu në orën 04:44 grupi tjetër i FNSH që ishte me shërbim në vendin e quajtur “Furra e bukës” Kordhocë njoftoi se nga qëndra e fshatit Lazarat ka të shtëna me armë zjarri.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër u ngrit grupi i drejtimit dhe u morrën masa për mbajtjen në rrethim të grupit të armatosur. Në bashkëpunim me forcat e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme u bë plani i operacionit për kapjen e persnave të cilët kanë qëlluar forcat e policisë. Me ardhjen e forcave RENEA në orën 09:00 filloi operacioni për kapjen e grupit e personave te armatosur të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë, i cili mbahej në rrethim nga forcat e Drejtorisë Policisë Qarkut Gjirokastër. Gjatë operacioni për kapjen e këtyre personave, 200 metra nga rruga që të çon për në qendër të komunës u kostatua një automjet benc i bardhë pa targa, i cili mbahej në vëzhgim nga shërbimet e policisë.

U bë neutralizimi i drejtuesit të mjetit i cili është shtetasi Xhulio Ilirjan Malo dhe u kërkua ardhja e forcave të tjera të RENEA me mjetin tip Volcvagen me targa MB 060 AA, ku në fërsi të vendit të quajtur “Pularia” në drejtim të këtij automjeti është qëlluar me breshëri armësh, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre efektivë të policisë të repartit RENEA, ku punojësi i policisë Ibrahim Basha si pasojë e plagëve të marra gjatë rrugës në drejtim të Spitalit Rajonal Gjirokastër ka gjetur vdekjen, ndërsa punojësit e policisë J. I. dhe P. H. janë çuar në Spitalit Rajonal Gjirokastër dhe më pas janë transportuar me helikopter në Tiranë per një trajtim më të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.Nga grupet e ndërhyrjes është bërë shoqërimi i automjetit tip benc i bardhe së bashku me drejtuesin e tij Xhuliano Malo. Gjatë kqyrjes së automjetit në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në këtë automjet janë gjetur, një arsenal armësh:

Një automatik kallashnikov,një pushkë model 63, një pushkë model 56, tre gëzhoja të qitura model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një këmbëz mitralozi, një thes lini e mbushur me fishek të kalibrave të ndryshëm ndër ta edhe fishekë mitrolozi , një kasetë fishekësh me disa krehëra, katër kallëpe tritol, disa fishek 12.7 mm, dy radio komunikimi dhënëse marrëse për distancë deri në 5 km, tre aparate celulare si dhe tre qese farmaceutike të dyshuara si KOKAIN. Gjithashtu po gjatë kësaj kohe është bërë shoqërimi edhe i 7 shtetasve të  tjerë nga fshati Lazarat për të parë kanë lidhje me ngjarjen apo jo. Ndërkohë forcat e policisë mbajnë në vëzhgim grupin e armatosur që ndodhet te ish Pularia në fshatin Lazarat. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur është hartuar një plan opereacional , për të bërë të mundur kapjen e personave të armatosur që qëlluan punonjësit e policisë.

Në ndihmë të forcave të policisë kanë mbritur grupe të tjera të fnsh dhe të Reneas si dhe janë angazhuar dy helikopterë të ushtrisë për të transportuar forcat e policisë. Në drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka mbritur Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Cako , Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Altin Qato , Prokurori i Krimve të Rënda Andan Zholi, si dhe ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Krimeve të Rënda. Po vijon operacioni për kapjen e personave të armatosur. Policia është e vendosur për të zbatuar  rrepësisht ligjin    për kapjen  dhe çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që goditën punonjësit e policisë dhe nuk do të ketë kthim mbrapa apo tërheqje të Policisë. Materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për vepren penale “Vrasja e punojesve te policise” ne bashkepunim prashikuar nga nenet 79/b, e 25 te K.Penal.

Lajme të tjera për këtë ngjarje në Koha Jone:

Nishani: Autorët e vrasjes së policit para drejtësisë

Berisha: Ngjarja në Lazarat, një akt kriminal i shëmtuar

PD: Policia të zbardh ngjarjen në Lazarat

Rama thërret në mbledhje urgjente Tahirin

Krimet e Rënda nisin hetimet

"Ja çfarë ndodhi në Lazarat"

Luftë në Lazarat, vritet një oficer i RENEA

Ministri Tahiri në Lazarat

Basha: Rama po bën politike në derën e spitalit

Rrethohet Lazarati, blindohet kufiri me Greqinë

SHKARKO APP