EMRI/ Me kamerdare drejt Korfuzit, dëshmia e 19-vjeçarit nga Tirana: Ja pse e bëra
SARANDE- Një 19-vjeçar nga Tirana është proceduar penalisht për pasi ka tentuar të kalojë kufirin shqiptar nëpërmjet detit në mënyrë të paligjshme.
“Papunësia dhe varfëria më detyruan,” kështu u është përgjigjur efektivëve të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, 19-vjeçari Ilirjan Riza Korbi, lindur në Kamëz e banues në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë.
Ai u kap të martën nga skafi i policisë kufitare në ujërat neutrale shqiptaro-greke, pikërisht në vendin e quajtur “Mezokanal”. Me një varkë-kamerdare të vogël, të ngarkuar dhe me ushqime e ujë, ai ishte nisur nga Ksamili për të shkuar ilegalisht në Korfuz.
Siç tha për grupin hetimor, ai ishte nisur me autobus nga Vlora për në Sarandë e më pas kishte shkuar në Ksamil ku kishte fryrë kamerdaren dhe e kishte hedhur në ujë për të shkuar në Korfuz. Ai kishte shfrytëzuar pikërisht Ksamilin për shkak të distancës së shkurtër me ishullin grek. Ndërkohë policia ka vendosur që Ilirjan Korbi të ndiqet në gjendje të lirë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror, ndërkohë që hetimet i vijon Prokuroria e Sarandës.

