Ende nuk ka mbërritur sasia e dytë e dozave të Pfizer, Manastirliu jep shifrën: Sa mjekë janë vaksinuar derimë tani

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka qenë e pranishme në stadiumin ‘Air Albania’, ku sot po zhvillohet vaksinimi i 42 mjekëve dhe infermierëve, staf mjekësor i pavionit Covid të pediatrisë.

Kjo është java e dytë e vaksinimit antiCovid të bluzave të bardha, ndërsa kujtojmë se javën e kaluar në ‘Air Albania’ u vaksinuan mjekët e spitaleve Covid dhe kryeministri Rama. Sipas ministres Manastirliu derimë tani janë vaksinuar 447 mjekë e infermierë të spitaleve COVID.

“Sot po vaksinohen 42 mjekë, infermierë të pavionit Covid të Pediatrisë dhe të spitaleve COVID. Përgjatë gjithë javës së shkuar, ku ne kemi filluar planin tonë të vaksinimit me vaksinimin e mjekëve, infermierëve dhe një pjese të epidemiologëve të Tiranës, Durrësit, Krujës dhe disa qyteteve përreth. Janë vaksinuar saktësisht 447 mjekë, infermierë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit.

Do të vijojmë me administrimin e vaksinës sipas planeve tona, qoftë përsa i përket marrëveshjes me Pfizer dhe gjithashtu edhe marrëveshjes me Covax-in. Do të kemi një informacion më të detajuar për lëvrimin e dozave të Covax, shpresojmë brenda kësaj jave, për të vijuar pikërisht edhe me planin tonë të vaksinimit për kategoritë e riskuara, që janë mjekët dhe infermierët, gjithashtu me vaksinimin e të moshuarive në Shtëpitë e të Moshuarve si edhe me vaksinimin e kombinuar duke vijuar me të moshuarit mbi 75 vjeç”, tha Manastirliu.

Kujtojmë se qeveria ka siguruar 975 doza të vaksinës Pfizer të vlefshme për rreth 463 persona, ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të mbërrijë sasia e dytë e vaksinave nga Pfize BionTech.

“🧪 Ministrja Ogerta Manastirliu me mjekët dhe infermierët e pavionit COVID të Pediatrisë Infektive, të cilët nisën javën e dytë të vaksinimit antiCOVID në Qendrën e Vaksinimit në Stadiumin Air Albania😍

👉447 mjekë dhe infermierë të vijës së parë të betejës janë sot më të mbrojtur nga koronavirusi i rrezikshëm, ndërsa do të vijojmë me vaksinimin e kombinuar, sipas planit kombëtar të vaksinimit antiCOVID.”, shkruan Rama krahas videos.

SHKARKO APP