Enton Abilekaj: Pluralizëm me komunizëm!?
(Botuar me 14 Nëntor 1995 në KOHA JONE)
Nga Enton Abilekaj-
“Partia Komuniste ka vendin e vet në sistemin pluralist në Shqipëri”, – thotë Sabit Brokaj, i përkrahur në këtë rast nga deputeti i ri i PS, Majko, i cili thotë: “Partia Komuniste duhet të lejohet, pasi po bëhet pjesë e realitetit shqiptar”. Kështu Partia Socialiste shprehet për lejimin e komunistëve, të dalë jashtë ligjit në vitin 1992, nga Parlamenti me shumicën e PD. PS e kundërshtoi atëherë ligjin censurues, megjithatë komunistët dolën jashtë ligjit. Pas kësaj, është quajtur PS streha e komunistëve të mbetur “Jetimë”dhe në të vërtetë PS ka një elektoral të vijës së ashpër sic e pranon një lider i PS, i cili preferon të heshtë, sesa të mbrojë lejimin e komunistëve. “Komunistët nuk kanë ç’të thonë më, veçse të tregojnë për 50 vjetët e diktaturës”, thotë lideri që nuk dëshiron të përmendet. Sidoqoftë deputeti i ri i PS, i përmendur shpesh si moderator, e sheh të nevojshëm lejimin e Partisë Komuniste. “Ekstremizmi që po rëndon mbi politikën shqiptare, patjetër do të pjellë edhe ekstremizmin e vet nga ana e së majtës”, thotë Majko. Ndërsa Brokaj për këtë i referohet vitit 1992, kur Parlamenti ua hoqi të drejtën komunistëve koherentë të organizoheshin sërish. “Është gjëja më normale në një shoqëri pluraliste, të ekzistojë një parti komuniste në përputhje me programet e PK moderne dhe në përputhje me ligjet që ka një shtet. Fakti që kjo parti u nxor në mënyrë arbitrare jashtë ligjit, është një nga testet që provon që sistemi pluralist i Berishës, është një sistem me mjaft paragjykime nga vetë Berisha”, – thotë Brokaj. Ndërsa Majko nuk merret me gjykimin e vendimit të para tre vjetëve, por e sheh komunizmin ekzistent. “Mendoj që komunizmi është bërë një realitet i padiskutueshëm në Shqipëri” , thekson ai. Gjithë pjesa e politikës shqiptare që është jashtë PS, e ka shprehur mendimin e saj se pas 1992 të gjithë komunistët u rreshtuan tek kjo parti. Sipas kësaj hipoteze, krijimi i një Partie Komuniste do ta dobësonte elektoratin e partisë më të madhe të opozitës. “Unë nuk them se në kontingjentet e Partisë Socialiste nuk ka elementë komunistë”, pranon Brokaj, i cili e shpjegon një gjë të tillë me faktin e daljes jashtë ligjit të PK. E njëjta gjë do të ndodhte me PD, sipas Brokaj, sikur të kishte dalë jashtë ligjit Partia e Ballit apo ndonjë parti fashiste. Këta do të ishin rreshtuar tashmë në PD, “siç edhe mund të ketë”. “Për PS, krijimi i Partisë Komuniste nuk do të kishte ndonjë rëndësi të veçantë nga pikëpamja elektorale”, alternon Majko me kolegun Brokaj. Por të dy janë të mendimit që PS do të çlirohej nga shumë akuza me legalizimin e komunistëve. “Nga pikëpamja politike, krijimi i PK ka të mirat e veta”, thotë Majko, ndërsa Brokaj e sheh më pozitiv rezultatin në përfaqësimin ndërkombëtar. “Kontingjenti komunist, duke dalë në parti më vete, nuk e dëmton PS, pasi në këtë kuptim, diskutimi i programit, i platformës dhe homogjenizimi i kontingjenteve të së majtës socialiste është më i lehtë, pa thënë këtu se ata kanë përbërë ndonjë vështirësi për PS”, përfundon Brokaj. Në të vërtetë në PS, edhe për këtë problem, nuk ka vetëm miratime. Një pjesë e konsiderueshme e drejtuesve, refuzojnë të prononcohen, duke injoruar komunistët dhe ekzistencën e tyre në PS.