Erdgys Arrazi mbetet në burg: S’kam vajt hala te varri i fëmijëve. Çfarë kam bërë?

Erdgys Arrazi, i akuzuar si personi që shty gruan drejt vetëvrasjes, do të qëndrojë në qeli. Gjykata e Apelit këtë të enjte la në fuqi masën ”arrest në burg” për 31-vjeçarin, pasi bashkëshortja e tij Alma Arrazi u vetëmbyt në lumin Bunë të Shkodrës bashkë me 3 fëmijët e mitur.

I riu shpërtheu në lot duke thënë se është i pafajshëm dhe ende nuk ka shkuar pranë varrit të 3 fëmijëve. “Ju lutem shikoni gjendjen time! S’kam vajt hala te varri i fëmijëve. Çfarë kam bërë që më mbani në burg, të paktën të di çfarë kam bërë”.

Ndaj Erdgysit rëndon akuza për veprën penale ”shkaktim i vetëvrasjes”. Dyshohet se 39-vjeçarja Alma Arrazi e mori aktin ekstrem duke u vetëmbytur me fëmijët në lumë pasi dhunës së vazhdueshme psikologjike dhe tradhtisë nga bashkëshorti.

Më datë 2 maj 2023, Alma Arrazi mori tre fëmijët përdore, Arditin 3 vjeç, Gresin 7 vjeçe dhe Ergesën 9 vjeçe dhe u vetëmbytën në lumë. Ngjarja tragjike u zbulua kur u gjet rastësisht nga një peshkatar trupi i vajzës së parë, ndërsa trupat e tjerë u gjetën pas 3 ditë kërkimesh nga polumbarët.

SHKARKO APP