Erion Braçe i revoltuar në Kuvend, Kushi i heq mikrofonin. Deputeti: Reforma ndryshon jetën në 15 bashki
Një nga kritikët e fortë nga brenda PS-së për Reformën Territoriale, deputeti Erion Braçe ka kërkuar që në fokus të saj të jetë qytetari dhe jo interesi politik. Braçe kujtoi lidhjen e tij ndër vite me banorët që e kanë votuar, duke theksuar se marrëdhënia me ta është mbi të gjitha njerëzore. “U zgjodha deputet për herë të parë në Poliçan nga njerëz që jo vetëm që më votuan, por më strehuan dhe më mjekuan”, tha ai.
Duke folur për reformën territoriale, Braçe kritikoi ndryshimet e shpeshta në organizimin e pushtetit vendor. “Me territorin, pushtetin në këtë vend janë bërë eksperimente pas eksperimentesh”, u shpreh deputeti. Sipas tij, një hartë e re territoriale nuk mund të justifikohet nga interesat elektorale. “Qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga votat, por nga parimet”, tha Braçe.
Ai theksoi se reforma duhet të matet me ndikimin që do të ketë te qytetarët, duke e përmbledhur qëndrimin e tij me një fjali. ”Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë”. Braçe kritikoi edhe mënyrën e financimit të bashkive, duke deklaruar se një pjesë e kompetencave janë transferuar pa fondet e nevojshme. “46 kompetenca janë sot në bashki, këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm”, deklaroi ai.
Për minuta të gjata, Braçe foli edhe pa mikrofon, edhe pse drejtuesja e seancës, nënkryetarja Evis Kushi i tërhoqi shpeshherë vërejtje, duke i thënë: Mos pengoni seancën plenare dhe foltoren. Tashmë pritet të shihet sesi do të jetë vota e deputetit të PS, Erion Braçe, pasi në mbledhjen e grupit të PS, kryeministri Edi Rama theksoi se grupi i PS do të votojë për 46 bashki, dhe kush nuk e bën, do të përjashtohet nga partia.
Pjesë nga fjalimi
U zgjodha deputet për herë të parë në Poliçan nga njerëz që jo vetëm që më votuan, por më strehuan dhe më mjekuan, kur njerëz që janë ende në këtë sallë më donin të humbur dhe të dështuar. Për 17 vite me radhë, njerëz të tjerë, edhe ata nga Poliçani, Berati e Kuçova, më dhanë besimin dhe nderin e pafund për t’i përfaqësuar në Kuvend. Më tej në Kavajë e me radhë.
Unë kam jetuar me këta njerëz dhe u jap mirënjohje. Kush mirënjohjen nuk e njeh, lidhjen me këta njerëz nuk e njeh. Nuk është as emocionale dhe as folklorike, është marrëdhënie njerëzore dhe kush nuk e ka, nuk e kupton kurrë. Me territorin, pushtetin në këtë vend janë bërë eksperimente pas eksperimentesh. Kam qenë në këtë Kuvend kur kryetar bashkie u bënë deputetë dhe i bënin të dyja këto.
Pushteti vendor është pushteti i qytetarit. Reforma që kemi përpara është një ligj që vizaton një hartë të re. Harta e provuar shumë herë është e përkohshme dhe si reformë, tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar disa herë, veçanërisht sot paradite, se harta është mundësia politike, më troç, votave që krijon. Kështu ishte edhe në vitin 2014. Më e keqja këtu është që këtu jemi edhe sot.
Edhe kjo hartë, që me gjasë do të ndryshojë, do të marrë fuqi në vitin 2031. Qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga votat, por nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë zbatuar kudo njësoj në territorin e diktuar nga kjo hartë dhe kjo u tha hapur dhe pa ndrojtje hiç. Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë. Kaq me lehtësi e marrim ne këtë fakt? Ndryshimin e jetës së njerëzve që kanë bërë plane për jetën e tyre. Bie dakord me shënimin e një kolegu këtu që populli përfaqësohet nga sovraniteti i një deputeti i zgjedhur me votë.
Pra as në nivel grupi, as nivel profesional grupi siç komisionet parlamentare. Siç Komisioni i Ekonomisë, që kriteret që konfirmojnë këtë ligj janë me kritere ekonomikë dhe financiarë. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne në një vit. Po flas për kompetencat Arbër (Arbjan Mazniku). Dëgjova që i referohesh kompetencave të bashkisë, që ata nuk i kanë përmbushur. Kompetenca të pasakta. 46 kompetenca janë sot në bashki, këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm.

