Erion Veliaj: “Jemi në luftë me zhulin. Qytetarët do të vlerësojnë punën e kompanive të pastrimit”

 

Bashkia e Tiranës nisi sot në orët e para të mëngjesit një aksion për pastrimin e qytetit nga mbetjet. Duke e konsideruar si një “luftë me zhulin”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim, në sheshin “Nënë Tereza”, me të gjithë operatorët e pastrimit të qytetit, ku edhe u kërkoi të nisin betejën për ta shndërruar Tiranën në qytetin më të pastër në Ballkan.

“Për të gjithë qytetarët që takova në fushatë, për të gjitha rrugët ku kam ecur dhe lagjet ku kam shkelur, nuk besoj se ka problem më të madh se pastrimi i Tiranës. Duke qenë se kjo është një krizë dhe duke qenë se sot jemi pushtuar nga plehrat, lufta moderne që ne duhet të bëjmë sot, nuk është me armë, por me pastrim”, deklaroi Veliaj. Ai u bëri të ditur kontraktorëve dhe gjithë pronarëve të firmave të pastrimit se, nga sot, nuk do të vendosë më Kryetari i Bashkisë për kontratat, por vetë qytetarët.

“Nëse qytetarët thonë se në atë lagje nuk pastrohen rrugët, nuk zbrazen koshat, nuk lahet territori apo rrugët, atëherë kontrata jonë nuk do të vazhdojë dhe do të vijë një operator tjetër që e bën atë punë”, tha Veliaj. Sipas tij, nëse qytetarët thonë se në atë lagje është kryer pastrimi dhe japin një notë të mirë apo shumë të mirë, atëherë do të vijojë bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës dhe kompaninë përkatëse.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se së bashku me 24 administratorët do të shkojë në çdo lagje për të parë nëse ato janë pastruar. “Ndaj, secili prej nesh duhet të dijë fare mirë se nuk do t’i bëjë dot bisht kësaj beteje dhe kësaj lufte. Unë, bashkë me ju, kam ndërmend që të dal faqebardhë nga kjo luftë, kam ndërmend që ta fitoj atë dhe po më dhatë të gjithë nga një dorë, do ta fitojmë luftën me zhulin në qytetin e Tiranës”, theksoi Veliaj. Duke nënvizuar se kontrata me Bashkinë e Tiranës varet nga rezultati i kësaj lufte, ai tha se asnjë nuk duhet të ketë justifikim për këtë çështje.

“Standardi, ambicja, ëndrra ime për Tiranën është që ai të jetë qyteti më i pastër në Ballkan, por këtë nuk e realizoj dot vetëm. Më duhet ndihma e secilit prej jush, ndaj dua që secili prej jush ta mendojë seriozisht”, deklaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, duke filluar që sot, secili operator dhe punonjës duhet të shkojë në zonën e vet, të takojë komunitetin që edhe ata të kuptojnë se janë aleatë me qytetarin.

Kryebashkiaku i Tiranës bëri të ditur se në fillim të muajit shtator do të ftojë të gjithë qytetarët që t’í bashkohen një aksioni për të pastruar Tiranën në një ditë. “Nuk kemi kohë, këtë muaj duhet të japim maksimumin tonë, që qytetarët ta vënë re që rrugët po lahen, po fshihen dhe koshat po pastrohen. Nëse në këtë muaj të parë që ne fillojmë betejën me plehrat, tregojmë se është rritur ndjeshëm standardi, ju garantoj se në fillim të shtatorit, do të kemi mbi 10 mijë qytetarë që do të vijnë në aksionin tonë të parë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi se ky aksion do të mbështetet nga Policia Bashkiake dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor dhe gjithë strukturat e tjera të Bashkisë, që puna e operatorëve të pastrimit të bëhet më e lehtë. “Nëse ka raste kur institucione të tjera të Bashkisë, ju vënë pengesa apo nuk ju ndihmojnë në punën tuaj, atëherë do raportoni menjëherë, për t’u siguruar që askush që nuk e mban dot barrën dhe logon e Bashkisë Tiranë, të shkojë e të gjejë një punë tjetër. Në Bashkinë e Tiranës do të punojnë vetëm njerëz që ndihmojnë ata që e mbajnë qytetin pastër”, deklaroi Veliaj.

 

Fjala e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:

E kisha shumë të nevojshme që t’ju jepja dorën meqë do punojmë bashkë në katër vitet e ardhshme ose shpresoj se do punojmë bashkë në katër vitet e ardhshme, por edhe t’ju them disa gjëra që i kam me shumë merak e disa gjëra për të cilat unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar.

Ne duhet të shpallim një luftë ndaj plehrave e zhulit në Tiranë. Për të gjithë qytetarët e Tiranës është ndoshta sot problemi numër një, problemi i pastrimit të qytetit. Për të gjithë qytetarët që kam takuar në fushatë, për të gjithë rrugët ku kam ecur, për të gjitha lagjet ku kam shkelur, nuk besoj se ka një problem më të madh se sa problemi i plehrave në Tiranë. Duke qenë se kjo është një krizë dhe duke qenë se sot jemi pushtuar nga plehrat, lufta moderne që ne duhet të bëjmë sot, nuk është me armë, por është me pastrim.

Unë kam ndërmend që ta fitoj këtë betejë dhe më duhet ndihma e secilit prej jush. Ndaj, ju kam thirrur sot, ashtu siç thirren shqiptarët në një luftë. Në qoftë se në luftë shkohet me tanke e blinda, në një luftë kundër zhulit shkohet me bote, makina pastruese, me makina teknologjike.

Do të doja që secili prej jush sot të kuptonte se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne ta fitojmë këtë betejë. Nuk shkohet në luftë kur vetëm gjysma e ushtrisë lufton dhe gjysma e ushtrisë pushon, nuk shkohet në luftë nëse bën sikur nuk e sheh armikun e kundërshtarin. Edhe në këtë luftën tonë nuk shkohet në luftë vetëm me gjysmën e forcave. Do të shkojmë 100 për qind në këtë betejë dhe nuk shkohet në luftë duke bërë sikur nuk shikojmë plehrat, duke bërë sikur nuk lajmë rrugët, duke bërë sikur nuk pastrojmë koshat dhe nuk zbrazim mbeturinat.

U bëra me dije të gjithë kontraktorëve, të gjithë pronarëve të firmave të pastrimit, nga tani e tutje, nuk do të vendosë më Kryetari i Bashkisë për kontratat, nga tani e tutje do të vendosin qytetarët. Në çdo lagje do bëjmë anketa për qytetarët. Në qoftë se qytetarët thonë se në atë lagje është kryer pastrimi dhe ju japin një notë të mirë apo shumë të mirë, atëherë ne do të vijojmë bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe kompaninë tuaj. Nëse qytetarët thonë se në atë lagje nuk bëhet pastrimi, nuk pastrohen rrugët, nuk zbrazen koshat, nuk lahet territori, nuk lahen rrugët, atëherë sigurisht që kontrata jonë nuk do të vazhdojë dhe do të vijë një operator tjetër që bën atë punë.

Arsyeja se pse ju thashë problemet dhe dua t’ua them edhe juve, është se secili prej jush e ka në dorë vetë, vendin e punës e keni në dorë vetë. Nëse puna bëhet dhe qytetarët thonë bravo ju qoftë se qyteti po pastrohet, lagjja po pastrohet, se koshat po zbrazen, se rrugët po lahen, se cepat po fshihen, atëherë sigurisht që ne do të vazhdojmë dhe sigurisht që secili do të ketë punën e vet. Por asnjë prej nesh, as unë, nëse qytetarët thonë që me këtë kryetar bashkie nuk pastrohet qyteti, do kem fatin e atij tjetrit. Arsyeja se pse jam unë këtu sot, s’është ai tjetri, është se nuk pastrohej qyteti dhe nuk bëheshin punët. Kjo vlen për secilin prej jush, kjo vlen edhe për mua. Nëse kjo nuk ndodh, unë i pari do të duhet të iki, pasi nuk arrita ta bëj dot më ndryshe seç e bënte ai para meje.

Nga sot, unë personalisht, siç do të shkoj në çdo linjë autobusi, do të kem edhe 24 administratorë që do të shkojnë në çdo linjë autobusi, ashtu siç do të shkoj në çdo lagje për të parë a pastrohen lagjet. Ndaj, secili prej nesh duhet të dijë fare mirë që nuk do i bëjë dot bisht kësaj beteje dhe kësaj lufte. Unë bashkë me ju të gjithë kam ndërmend që të dal faqebardhë nga kjo luftë, kam ndërmend që ta fitoj këtë luftë dhe po më dhatë të gjithë nga një dorë, do ta fitojmë luftën me zhulin në qytetin e Tiranës.

Sigurisht, po ta bëja këtë bisedë në dhjetor që është edhe muaji kur mbarojnë kontratat, ju do të thoni, z. kryetar kjo është pak me hile sepse na e the në minutën e fundit. Po ua them në fillim të gushtit. Pra, po ju a them 4-5 muaj përpara, që asnjë të mos ketë justifikim dhe të thotë ne nuk e dinim se çfarë standardi doje ti për Tiranën. Standardi, ambicia, ëndrra ime për Tiranën është të jetë qyteti më i pastër në Ballkan, jo në Shqipëri, por nuk e realizoj dot vetëm. Nuk e realizoj dot vetëm. Më duhet ndihma e secilit prej jush, ndaj dua që secili prej jush ta mendojë seriozisht.

Secili prej jush, përfshirë edhe mua, kontrata me Bashkinë e Tiranës i varet nga rezultati i kësaj lufte. Ne nuk mund të jemi njerëz që mposhten nga zhuli dhe nga plehrat. Qyteti i Tiranës që është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, ku vijnë nga e gjithë bota shqiptarë, jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga vendet që na rrethojnë, për të parë se çfarë standardi kemi ne nuk mund të jetë një qytet ose kryeqytet i zhulsit. Ne, shqiptarët nuk jemi pisanjosë. Jam i sigurt se në secilën prej shtëpive tuaja, shtëpia është xixë. Pyetja është, pse nuk është xixë shtëpia jonë e përbashkët ashtu siç është xixë shtëpia e secilit prej jush, ashtu duhet të jetë xixë edhe Tirana që është shtëpia jonë e përbashkët.

Do fillojmë këtë betejë që sot. Siç e thashë, ata në ato luftërat tradicionale shkonin me tanke, blinda, pushkë. Ne, në këtë luftë do të shkojmë me fshesa, me bote, me makina teknologjike dhe fshirëse sepse kjo është lufta jonë moderne. Dua shumë që në sondazhin e parë që ne do të bëjmë në fund të gushtit, secila prej kompanive, grupeve të pastrimit të ketë një rezultat më të lartë se ajo që kam parë deri tani dhe nëse secili prej nesh jep maksimumin e vet, secili prej nesh çohet çdo ditë në mëngjes dhe thotë: unë jam pjesë e kësaj lufte, për ta bërë Tiranën qytetin më të pastër në Ballkan. Jam i sigurt që ne do e fitojmë këtë betejë.

Duke filluar që sot, që nga ky moment, secili të shkojë në zonën e vet, secili të hipë në botin e vet, secili të hipë në makinën e vet teknologjike, secili tek makina e vet fshirëse, secili tek zona dhe lagjja e vet, takoni komunitetin, t’ju shohë me uniformë dhe t’ju kuptojnë që ju jeni aleatë me qytetarin. Ju nuk jeni aty sa për të marrë një rrogë, jeni aty për të dhënë maksimumin, si kryeqytetarë.

 

Unë nuk e kam fare problem, as të bashkohem në fushata vullnetare, madje dua që t’i ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës, pasi të kthehen nga pushimet, në fillim të shtatorit ne të bëjmë një aksion, për të pastruar Tiranën në një ditë. Por, ka një problem. Nuk mund t’i ftojmë dot qytetarët të dalin e të bëjnë punë vullnetare, nëse ne që paguhemi për këtë punë, nuk bëjmë maksimumin tonë. Nuk kemi kohë, këtë muaj të bëjmë maksimumin tonë, që qytetarët ta vënë re që rrugët po lahen, rrugët po fshihen, koshat po pastrohen. Vetëm pasi të kenë thënë qytetarët, “po, bravo u qoftë, këta po bëjnë maksimumin”, atëherë kemi gojë t’u themi, ejani, na jepni edhe ju një dorë, ejani edhe ju pastroni lagjen, ejani një shtunë, edhe ju bëhuni pjesë e të gjithë komunitetit të pastrimit! Por, nuk ua themi dot nëse nuk bëjmë maksimumin tonë. Nëse ne nuk bëjmë maksimumin tonë, nuk kemi gojë t’u themi njeriu. Njerëzit me të drejtë thonë, po s’e pastruat ju që e keni për detyrë, pse duhet të dalë popullit të pastrojë.

Ndaj, keni një muaj për të bindur njerëzit që ne po bëjmë maksimumin tonë. Pasi t’i kemi bindur që po bëjmë maksimumin tonë dhe do të na duhet ndihmë, unë i pari do të vij bashkë me ju dhe do u bëj thirrje qytetarëve: Dilni dhe na jepni një dorë sepse kemi ende shumë punë për të bërë.

Nuk dua që asnjë prej jush të humbasë kontratën në dhjetor, sepse kam dëshirë që të punojmë të gjithë bashkë, por kjo varet nga ju, varet nga unë. Unë për kërkesën e llogarisë dhe mobilizimin e qytetarëve, që të bëhen pjesë e aksioneve të pastrimit, por varet edhe nga ju, nga cilësia e punës.

Ju garantoj se nëse në këtë muaj të parë që ne fillojmë këtë betejë me plehrat, ne tregojmë që është rritur ndjeshëm standardi, ju garantoj që në fillim të shtatorit, do kemi mbi 10 mijë qytetarë që do të vijnë në aksionin tonë të parë. Por duhet që fillimisht ne të tregojmë që puna ka një cilësi shumë më ndryshe nga ajo që kemi pasur deri më sot.

Kurajë të gjithëve, ju uroj punë të mbarë, krahë të lehta. Duke nisur që sot t’i tregojmë Tiranës që ne do e fitojmë betejën me plehrat dhe zhulin dhe ky nuk mund të jetë qyteti më i papastër në Shqipëri por do të jetë qyteti më i pastër në Ballkan!

Dua po ashtu t’ju informoj që bashkë me ne, sot është edhe drejtori i Policisë Bashkiake, drejtori i INUV. E di që Policia Bashkiake nuk ka performuar si shumë institucione të tjera, dua që të dini se Policia Bashkiake, duke filluar nga sot është në dispozicionin tuaj. E di që në disa raste keni pasur pengesa, ku ju bllokohen punët, ju bllokohen rrugët, nuk mund të lani se dikush parkon në një vend të gabuar. Nga sot edhe Policia Bashkiake, INUV dhe gjithë strukturat e tjera të Bashkisë janë në dispozicionin tuaj, që ta bëjnë punën tuaj më të lehtë dhe nëse ka raste kur institucione të tjera të Bashkisë, ju vënë pengesa apo nuk ju ndihmojnë në punën tuaj, atëherë do raportoni menjëherë, për tu siguruar që askush që nuk e mban dot barrën dhe logon e Bashkisë Tiranë, të shkojë e të gjejë një punë tjetër. Në Bashkinë e Tiranës do të punojnë vetëm njerëz që ndihmojnë ata që e mbajnë qytetin pastër.

Ju faleminderit të gjithëve, me krahë të lehta e duke filluar nga sot do jemi në çdo lagje të Tiranës, për të parë se si po shkon dita e parë e betejës sonë që ne do e fitojmë me siguri, kundër plehrave dhe zhulit në Tiranë.

 

 

SHKARKO APP