Erion Veliaj “troket” për së dyti në Kushtetuese
Teksa pritet që më 20 maj të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për liri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka paraqitur një tjetër ankim në këtë gjykatë. Nëpërmjet avokatit të tij, Plarent Ndreca, Veliaj kërkon shfuqizimin e vendimit të 9 shkurtit 2026 të Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i cili ka kaluar çështjen e tij në gjykim në themel.
Sipas mbrojtjes, procesi paraprak ndaj tij është zhvilluar në shkelje të të drejtave themelore, duke përfshirë mungesën e kohës së mjaftueshme për t’u njohur me një dosje me dhjetëra mijëra faqe, cenimin e parimit të barazisë së armëve dhe prezumimit të pafajësisë, si dhe trajtim që, sipas tyre, ka dëmtuar dinjitetin e të pandehurit, përfshirë edhe mbajtjen në izolim gjatë seancave.
Avokati Ndreca e cilëson vendimin për dërgimin e çështjes në gjyq si të marrë mbi një proces të kompromentuar dhe, për rrjedhojë, si një procedurë antikushtetuese dhe të pavlefshme që nuk mund të prodhojë pasoja juridike. Çështja ndaj Veliajt ndodhet aktualisht në fazën e gjykimit në themel në GJKKO. Në seancën e 3 prillit, gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes për shtyrje me dy javë, për t’i dhënë kohë avokatëve të njihen me aktet e dosjes.
KOHA JONË SONDAZH

