Erisa Xhixho: Rama premtoi 300 mijë vende pune, por dëboi 740 mijë shqiptarë!

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në fjalën e mbajtur në protestën e opozitës para Kryeministrisë, duke theksuar se Shqipëria është e 8-ta në botë për largimin e trurit.

Ndërsa 36 mijë të rinj largohen nga Shqipëria çdo vit, Xhixho tha se 23 mijë pensionistë shtohen në skemën e pensioneve. “Kjo qeveri grabiti pasuritë publike dhe private duke mbushur xhepat e oligarkëve”, tha midis të tjerash.

Xhixho gjithashtu u shpreh se qeveria aktuale erdhi në pushtet me gënjeshtra ku premtoi 300 mijë vende pune, por dëboi 740 mijë shqiptarë!

Fjala e Xhixhos:

“Qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë!

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, përveçse të mblidheshim të gjithë sëbashku e për të nisur kështu nga ky manifestim madhështor rrugëtimin pa kthim të reagimit qytetar kundër narkoqeverisë; kundër bandës së pushtetit të korruptuar që vetëm pushtet i shërbimit ndaj qytetarëve nuk është.

Tirana dhe gjithe Shqipëria e dinë ku buron e keqja dhe se pse e keqja e pushtetit të tiranisë së korrupsionit dhe krimit ka vrarë shpresën e qindra mijëra qytetarëve.

Ndaj ne jemi sonte këtu për të ringjallur shpresën dhe për ta mbrojtur atë nga të korruptuarit e pushtetit të korruptuar.

Ne jemi sonte këtu për të dëshmuar se jemi të gjithë bashkë për një qëllim të madh.

Qëllimi ynë është një dhe vetëm një, për të bërë të qartë se mbi interesin vendit dhe të popullit, mbi interesat kombëtare nuk ka asnjë interes apo individ që të mund të na dominojë apo të na e errësojë perspektivën drejt fitores.

Misioni ynë është i madh, është i shenjtë dhe i panegociueshëm; është largimi i të keqes që përfaqëson pushteti i korruptuar dhe kriminal i inceneratorëve, pushteti i arrogancës dhe i grabiqarëve.

Kauza jonë e madhe lindi 32 vjet më parë, kur forca e popullit shkuli nga themelet e rrëzoi përtokë diktaturën komuniste nën thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe kjo kauzë është sot më aktuale se kurrë.

Të nderuar qytetarë,

Rilindja në 11 vite bëri të kundërtën e premtimeve me të cilat erdhi në pushtet.

Premtoi qeverisje me duar të pastërta, por jemi të parët në Europë për korrupsion dhe të dytët në botë për rryshfet!

Premtoi 300 mijë vende pune, por dëboi 740 mijë shqiptarë!

Premtoi çmime të ulta, por paguajmë për ushqime më shtrenjtë se në Itali.

Po çfarë ka Kosova dhe Maqedonia që të gjithë treguesit i kanë shumë më lart në çdo drejtim që nga pensionet, çmimet e ushqimeve e të karburantit, pagat e mësuesve e pedagogëve, mjekëve etj, ndryshimi është vetëm një, atje nuk ka narkoqeveri si kjo e Edi Ramës, por ka qeveri që punon për qytetarët.

Qeveria Rama premtoi shëndetësinë falas, por sot shqiptarët paguajnë 60% më shumë nga xhepi për shëndetësinë se në të gjithë Europën.

Sepse paratë e tyre shkojnë në koncesione dhe në xhepat e klientëve të ngushtë të kryeministrit.

Premtoi zhvillim të bujqësisë, por favorizoi importin dhe falimentoi fermerin.

Kjo qeveri ka zbrazur 10 nga 12 qarqet e vendit.

Premtoi mbrojtjen dhe zhvillim të pronës private, por u shembi shtëpitë dhe rrëmbeu pronat e ligjshme të qytetarëve për t’ua u dhënë oligarkëve për kulla e resorte.

Premtoi politika për të rinjtë, por sot një çifti të ri i duhet mbi 70 vjet kursime për të blerë një apartament.

Të rinjtë e Shqipërisë po largohen masivisht vetëm për shkak të kesaj qeverie, që nuk u garanton asgjë, por u rrjep paratë e tyre e të prindërve të tyre për megaskema mafioze si ajo e inceneratorëve.

Jemi të 8-ët në botë për largimin e trurit. Në një vit Shqipëria humbet 36 mijë të rinj që largohen nga vendi, ndërkohë 23 mijë pensionistë shtohen në skemën e pensioneve dhe këta pensionistë jetojnë në mjerim me pensione nën nivelin e minimumit jetik dhe nuk arrijnë të blejnë dot as ilaçet e tyre.

Jemi vendi me arsimin më të dobët në Europë, me rënie progresive në të gjitha testet PISA të viteve të fundit. analfabetizmi funksional është ulur këmbëkryq në shkollat tona sepse arsimi nuk ka qenë kurrë prioritet për këtë qeveri dhe nuk është mbështetur me buxhet.

Jemi vendi me arsimin më të dobët në Europë, me rënie progresive në të gjitha testet PISA të viteve të fundit. Analfabetizmi funksional është ulur këmbëkryq në shkollat tona sepse arsimi nuk ka qenë kurrë prioritet për këtë qeveri dhe nuk është mbështetur me buxhet.

Kjo qeveri grabiti pasuritë publike dhe private duke mbushur xhepat e oligarkëve.

Të nderuar qytetarë!

Sot të jesh opozitar do të thotë të kesh dinjitet e të kesh respekt për veten, të jesh opozitar do të thotë të kesh guxim, shumë guxim.

Por ky shesh i lirisë dhe i guximit sot si ortek do kthehet në shpresë, çlirim dhe zgjidhje për gjithë shqiptarët!”

SHKARKO APP