“Eruditët” e Kuvendit të Shqipërisë tejkalojnë pritshmëritë, votimet me dokumentacion italisht
Në një kohë kur gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj kërkon që të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë t’i nënshtrohen testit të gjuhës shqipe para marrjes së mandatit të tyre, ligjvënësit shqiptarë “mahnisin” me performancën e tyre linguistike.
Në raportin e tij më të fundit, Instituti i Studimeve Politike thekson se më 5 dhjetor, kryetari i Kuvendit njoftoi se është shkrirë Grupi i Djathtë parlamentar, megjithatë në dokumentet zyrtare të seancës, përfshirë edhe në votimin e rezolutës “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimit në proceset demokratike kombëtare” figuron Grupi i djathtë dhe ish deputetët e këtij grupimi paraqiten ende si grup. Ndonëse detaj teknik, problematika me dokumentacionin e rregullt është detyrim ligjor dhe përbën një prej motiveve për kontestimin e vendimeve të ndryshme të Kuvendit.
I tillë vijon të jetë edhe aplikimi në gjuhën italiane të emërtimit për grupet e deputetëve dhe disa procedurave teknike në votimet elektronike, ndërkohë që Kuvendi ka detyrimin kushtetues e ligjor të operojë vetëm me gjuhën shqip. Argumenti i zyrtarëve të Kuvendit se gjuha italiane vijon të jetë e mbetur për shkak të programimit është i paqëndrueshëm për sa kohë është një detyrim ligjor dhe Kuvendi ka të gjithë kapacitetet dhe mundësitë të respektojë gjuhën shqipe në komunikimet dhe vendimet e tij zyrtare e publike. /ISP