Ervis Behari, zëri melodioz që pikon nga hojet e një tradite të pasur të këngës
Albert Vataj
Jugu, ka një aradhe të gjatë këngëtarësh, zëri dhe larmia e të cilëve shpërfaq karakteristikat përcaktues të vlerës së një tradite kënge dhe valleje, që përbën një kolonë të rëndësishme të tempullit tonë të muzikës, si thesar kombëtar. Mes ngjyrimeve vokale që popullojnë këngën e jugut, emrave dhe personaliteteve të çmuara, unike dhe përfaqësuese të tipareve dhe cilësive më të mira që përfaqësojnë me përgjegjësi artistike atë, spikatë në këtë ylber Ervis Behari.
Është vetëm 31 vjeç, dhe në dialektikën e ballafaqimit të sfidës së botës teknologjike, numëron milionat e klikimeve, dhe mban mbi supe peshën e një publiku që reagon fuqishëm në atmosferën që ndez kënga e tij.
Çfarë e veçon atë, është repertori i këngëve dhe një lloj gërshetimi i harmonishëm i muzikës popullore, zërit unik dhe poezisë lirike, të cilat dallojnë për një qasje pasuruese të traditës së trevës muzikore që përfaqëson.
I ri në moshë, por me një talent përkushtues, i shton vlerat dhe garanton cilësi prurjesh muzikore, që vijnë për ta bërë këngën një mjet të fuqishëm komunikimi, si në skenat e mëdha të muzikës shqiptare ashtu edhe në gëzimet familjare, performimi në këto të fundit, që për shkak të rrethanave zënë vendin kryesorë në axhendën e këngëtarit.
Pavarësisht përplasjes në nevojën për kohëshmëri të tregut muzikorë dhe pasurimit të një tradite, ky këngëtar i’a ka dalë të krijojë një përsonalitet me cilësi identifikuese. Pas këtij koloriti vokal është ai dhe nuk mund të jetë askush tjetër. Dhe në art, ky është kryeqëllimi, krejt filli përshkues që vesh si me një breror magjinë e komunikimit estetik, shemb muret ndarës të paragjykimeve dhe i ven ndalim presionit dhe trysnive të ndikime që i vërsulen tabanit, marrin nën kërcënim traditën.
Ervis Behari bën që këngën ta prezantojë, jo vetëm si një ftesë e parezistueshme për përjetim dhe festë, por edhe si shpërfaqje e madhështisë së thesarit shpirtërorë që breza këngëtarësh, tekstshkruesisht dhe instrumentistësh lanë si amanet atyre që vijnë ta përfaqësojnë. Kjo energji, ky kontakt, ky komunikimi, kjo lartësi e zemrës dhe gjakut të krijimit të këngës, lexohet shumë qartë në ambientet ku ai është i ftuar dhe skenat ku përformon xhevahiret e jugut.
Ndoshta ai nuk ka ardhur të bëjë shumë më shumë se sivëllezërit e tij këngëtarë, por ai tregon se do të mbetet një penel i ngjyrshëm në tablonë e këngës së Jugut, si një vijues i denjë i atyre që e frymëzuan dhe pati si idhuj.
Ai me këngën e tij, bën që në kurriz të vlerave të mos bëjë kompromis, një potencim i natyrshëm rreziku që vjen me konsumizmin. Ai e përafron shpirtin e përjetimit dhe përfshirjes te publiku me gjallëri, ritëm dhe ëmbëlsi, duke kurorëzuar këngën si mbretërim i pasurisë sonë shpirtërore.
Siç dihet, Ervis Behari është një këngëtar i spikatur i muzikës popullore. Ai ka lindur në Fier më 31 korrik 1993 dhe është i njohur për zërin e tij të dashur dhe këngët që janë bërë të pëlqyera në kremtime familjare dhe dasma. Karriera e tij muzikore nisi në vitin 2015, me një stil të bazuar te muzika popullore e jugut, si cilës i qëndroi besnik, duke bërë të triumfojë tradita e trevës dhe cilësive unike identifikuese.
Ervis Behari është gjithashtu i njohur për bashkëpunimet me kompozitorë të njohur si Adi Hila dhe për pjesëmarrjen në evenimente të mëdha si “Maratona e Këngës Popullore Shqiptare”, dhe jo vetëm.
Ervis Behati, edhe pse i përket epokës së klikimeve dhe detyrohet të çojë artistin përtej skenës, kënga e tij kultivohet në një tokë të begatë ku u mbarështuan personalitete të gurrës së Jugut, ku ai pjesëmerr me dinjitet artistik dhe shpirt të pasur përçues të vlerave.