Ese nga Spartak Ngjela: Ç’është dinjiteti?
Nga Spartak Ngjela-
Një ESE e shkurtër konceptuale mbi pyetjen: si lidhen tek njeriu dinjiteti me personalitetin, por, edhe me qëllimin ose intencionin vetjak.
Ç’është dinjiteti?
POR kjo është njëherësh edhe një Ese e përmbledhur konceptualisht për dinjitetin, për lakeizmin, për personalitetin dhe qëllimin, dhe, për dashurinë e për xhelozinë e individit.
*
* *
QËLLIMI i individit mund të jetë i moralshëm por mund të jete edhe kriminal.
Ne këtu flasim verëm për qëllimin e moralshëm.
Prandaj…
Askush nuk mund të arrijë në një sukses vetjak nëse nuk i ka vënë vetes një qëllim.
Askush nuk mund të arrijë një dashuri të madhe, nëse nuk e ka të dashurën e tij brenda vetevetes si poezi që krijon vijimisht një poemë për këtë dashuri.
Dashuria nuk është qëllim, sepse është ndjenjë e pastër dhe, brenda vetes, ajo është poezi.
Sado e madhe të jetë dashuria e burrit për gruan e tij, nëse ky është xheloz dhe vuan së brendshmi, ai nuk është në dashuri por është në urrejtje.
Askush nuk mund të jetë i lumtur nëse e ka xhelozinë natyrë që i ka pushtuar mendimin. Kurse Zigmund Frojd na ka thënë: “xhelozia është urrejtje”.
Askush nuk mund të krijojë një vepër të shkruar nëse nuk ka sistem logjik të përpunuar dhe fantazi të rrjedhshme, deri në caqet reale të arsyes.
Askush nuk mund të flasë për historinë nëse nuk e njeh kohën ku ai po jeton..
Askush nuk mund të harrojë se, midis atij dhe të tjerëve, ka një distancë që nuk mund të shkelet: është dinjiteti i tjetrit.
Dinjiteti është koncept që vjen nga latinishtja, dhe don të thotë: DIGNITY – “vlerë, vletësim; qëndrim moral, status individual; autoritet; vet-respekt, mirësi, xhentilencë”.
Në kohën tonë, të gjitha këto e kanë sjellë konceptin e dinjitetit në konceptimin se, dinjiteti i tjetrit duhet të respektohet si i shenjtë nese ti vërtet je një njeri i arsyeshëm.
Për qenien e tij njeri, gjithkush duhet të trajtohet si njeri, domethënë në respekt të dinjitetit të tij.
Dinjiteti krijon personalitetin tënd, por edhe personalitetin e tjetrit. Një individ ka ose jo personalitet, çështja fillon nga pyetja: a e ka krijuar dinjitetin e vet ky person?
Dinjiteti tani ka hyrë si koncept edhe për sjelljen, kur themi: sjellje dinjitoze. Ky person ka sjellje dinjitoze.
Askush nuk mund ta shkelë dinjitetin e tjetrit, sepse në fakt ky person ka fyer veteveten.
Askush nuk mund të mallkojë një tjetër njeri, se kjo jo vetëm që nuk ka një forcë reale, por duhet të kuptohet që, ky akt, është një shenjë ligësie që jeton brenda atij që mallkon.
Askush nuk ka të drejtë të shpifë për dikë, por na duhet ta pranojmë se ende sot në Shqipëri, shpifja është një forcë mesjetare.
Prandaj, më konkrete është që, për politikën shqiptare aktuale, mund të thuhet se: në politikën aktuale shpifja është kthyer në natyrë.
Shpifja në politikë ka lidhje me pushtetin politik. Shpifja, thotë shpifësi, më jep pushtetin, prandaj unë do të shpif. Po dinjiteti? Në këtë rast ky individ e ka flakur dinjitetin e tij.
Mungesa e dinjitetit është sot defekti vrastar i politikës shqiptare. Cënimi i dinjitetit të kundërshtarit politik është sot amoraliteti kryesor i politikës në Shqipëri.
Mungesa e dinjitetit te një person, e shtyn atë drejt lakeizmit, por edhe drejt shpfjes kundrejt kundërshtarit.
Shpifja për pushtet apo për lakeizëm ndaj një tjetri, tek shpifësi, është krejt një mungesë dinjiteti dhe personaliteti .
Lakeizmi, është e kundërta edhe e dinjitetit, edhe e personalitetit të një individi.
Laké dhe servil, është e njëjta gjë. Por fjala shqipe “lake” për servilin, është më e bukur.
Kujt i ka pëlqyer shumë në histori Lakeu?
Mbreti dhe diktatori, që të dy këta, nuk jetojnë dot pa lakenjtë e tyre. Por, lakeu është sevil ndaj eprorit, dhe “bandit” ndaj vartësit.
Karriera politike në Shqipëri është lakeizëm dhe korrupsion njëherësh.
I korruptuarit blen votat. Domethënë nuk ka demokraci.
I korruptuari blen edhe prokurorin dhe gjyqtarin.
Domethenë në Shqipëri nuk ka as drejtësi.
Domethënë se, deri tani, në Shqipëri nuk ka asgjë.
Dhe, e gjithë kjo mund të quhet – një shitblerje e moralit dhe drejtësisë.
Por kjo në thelbin e vet, nuk është as moralitetet dhe as drejtësi.
Atëherë, si mund të quhet kjo gjendja e sotë në Shqipëri?
Në jurisprudencë kjo gjendje quhet: Krim Vazhdues.